Një problem me të cilin po përballen së fundmi qytetarët e Kosovës është çmimi i lartë i derivateve.
Rritja e çmimit të naftës deri në 1 euro e 30 cent, ishte pothuajse e papërballueshme për qytetarët, çmim ky i cili është vazhdimisht i luhatshëm, shkruan lajmi.net.
Momentalisht, çmimi i naftës sillet prej 1 euro e 12 cent deri në 1 euro e 16 cent, ndërsa benzina nga 1 euro e 14 cent deri në 1 euro e 17 cent.
Përveç Maqedonisë, çmimet në rajon janë të gjitha më të shtrenjta sesa në Kosovë.
Sipas të dhënave për lajmi.net nga Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, çmimi i naftës në Shqipëri është 1.46 euro ndërsa çmimi i benzinës 1.47 euro.
Në Serbi, çmimi i naftës është 1.40 euro, ndërsa çmimi i benzinës është 1.28 euro. Mali i Zi qëndron më mirë, atje një litër naftë kushton 1.27 euro, ndërsa një litër benzinë 1.28 euro.
Bosnja e Hercegovina ka çmim edhe më të ulët ku një litër naftë kushton 1.26 euro ndërsa një litër benzinë kushton 1.27 euro.
Maqedonia vjen me çmimin më të ulët të naftës në rajon, ku një litër naftë kushton 1 euro ndërsa një litër benzinë kushton 1.04 euro.
Berjani është shprehur për lajmi.net se ka kërkuar që çdo pike karburanti ku nafta shitet me fitim 2 deri në 3 cent të hetohet dhe kontrollohet cilësia e sasia.
I pyetur nëse do të ketë rënie të çmimeve fillimin e vitit që po hyjmë, Berjani është shprehur se mund të ketë rënie të lehtë.
“Por sipas të gjitha gjasave çmimi nuk do të ketë rënie. Qytetarët e Kosovës do të furnizohen me këto çmime, me rënie të lehtë”, tha Berjani për lajmi.net.
Vlen të theksohet se çmimin e naftës për vende si Kosova të cilat nuk kanë rregullator të tregut e determinon Berza dhe OPEC.