Këshilli i Përgjitshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk do të vonojë përgjigjen e tij karshi kërkesës së vazhdueshme të anëtarëve të këtij subjekti politik për shpalljen e zgjedhjeve të brendshme për kryetar.
Kështu ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” anëtari i kryesisë së VV-së, Ismail Kurteshi. Sipas tij, mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm do të ndodhte brenda një kohë të shkurtër edhe pa kërkesë të anëtarëve të VV-së, të cilët një ditë më parë nëpër rrjete sociale kërkuan një gjë të tillë.
“Qoftë me kërkesë, qoftë pa kërkesë të aktivistëve të Vetëvendosjes, Këshilli i Përgjitshëm do të mbajë mbledhje së shpejti”, tha Kurteshi.
Ndërkaq i pyetur, nëse është marrë ndonjë vendim lidhur me këtë çështje, Kurteshi mohoi një gjë të tillë duke thënë se “nuk kemi marrë vendim ende për këtë.”
Dhjetëra anëtarë të VV-së, një ditë më parë i janë bashkuar thirrjes për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme për kryetar, me arsyetimin se “atyre u ka ardhë koha”. Po ashtu ata kanë kërkuar edhe kandidimin e themeluesit të këtij subjekit politik për kryetar, Albin Kurti, kandidimi i të cilit u kundërshtua në mbledhjen kryesisë së VV-së që u mbajt ditën e hënë nga ish-sekretari i këtij subjekti politik Dardan Molliqaj.
Unë jam aktivist i Vetevendosjës. Kërkoj të respektohet Statuti dhe demokracia e brendshme në Lëvizjen VETËNDOSJE! Të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm, organi më i lartë vendimmarrës, sepse me Statut duhet mbledh çdo tre muj, e tash kanë kalu katër. Të shpallën zgjedhjet e brendshme për kryetar, me Statut u ka ardhë koha!
Të kandidojë Albini! Me Statut ka të drejtë!
#VVdemokratike
Përplasjet ndërmjet udhëheqësve të Vetëvendosjes dolën kur u publikua një komunikim virtual ndërmjet deputetëve të këtij subjekti politik, ku deputetja Aida Dërguti, e kishte fyer ish-Albin Kurtin duke e quajtur “mut”.
Ndryshe, njohës të çështjeve politike çarjen brenda Vetëvendosjes e shohin si të pashmangshme, marrë parasyshë situatën në të cilën ka ardhur ky subjekt politik. /Gazeta Blic/