Albi Kurti vazhdimisht ka qëndrim origjinal ndaj problemeve politike në Kosovë. Qysh student, në kohën regjimit të Millosheviqit, kaloi tri vjet burg në Lipjan e Pozharevac.
Diagnostifikon dhe detekton politikën serbe, që sipas mendimit të tij prodhon kriza politike në rajon.
Në intervistën dhënë agjencisë gazetare “Patria” të Bosnjës ai flet për ndikimin e Serbisë në Kosovë e BeH, politikën destabilizuese të Beogradit në rajon, motivet potenciale për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, dhe se cili është fati i mëtejshëm i Ballkanit Perëndimor, transmeton Koha.net.
Ai i ka thënë kësaj agjencie se Vetëvendosje është subjekti parlamentar më i fuqishëm, me mbi 200 mijë vota të fituara, ose 27,49 për qind. Që do të thotë se përfaqësohet me 32 deputetë në Kuvendin e Kosovës me 120 deputetë (20 vende të garantuara për minoritetet). Por, meqë nuk ia dolëm të fitojmë shumicën mbi 50 për qind, qeveris koalicioni që përbëhet nga 16 parti, përfshirë aty edhe partinë e kryeministrit Haradniaj me 11 deputetë.
Lëvizja (VV) angazhohet për dialog nga poshtë lart, dialog me qytetarët e nacionalitetit serb të Kosovës për temat e brendshme që na lidhin, siç çshtçë papunësia dhe prodhimi, të drejtat qytetare dhe sundimi i të drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe problemet e tjera jetike që e mundojnë qytetarin e thjeshtë të Kosovës të secilit nacionalitet. Dialogu me Serbinë deri sa Serbia të mos e njohë Kosovën, sa të ketë pretendime territoriale ndaj vendit tonë, deri sa të mos ketë kurrfarë pendimi për krimet gjatë luftës, as mund të jetë i barabartë, as i drejtë. Deri më tash është investuar shumë në dialogun me Serbinë nga bashkësia ndërkombëtare, por rezultati thuaja ka qenë i parëndësishëm sa i përket interesit të qytetarëve, ndërsa Kosova nuk ka mundur të imponojë njohjen nga Serbia. Në vazhdojmë të ndiejmë ndikimin e fuqishëm të Serbisë nëpër enklavat serbe, posaçërisht në veriun e Kosovës, dhe ky ndikim mohon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Shembull është partia më e madhe parlamentare serbe Srpska Lista, e krijuar dhe që drejtohet nga Beogradi.
Ndërkaq në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit ai ka dy shpjegime.
“Sa i përket vrasjes së Oliver Ivanoviqit, janë dy shpjegime të mundshme: njëra se Serbia dëshiron të tregojë e të dëshmojë se ajo qeveris veriun e Kosovës dhe se askush nuk mendon që Kosova të jetë ndonjëherë të jetë Kosovë, dhe se aty pushtetin e ka Serbia me strukturat e saj të sigurisë, duke pasur parasysh profesionalizmin me të cilin u krye vrasja. Ndërsa shpjegimi tjetër është se Ivanoviq u vra nga se mori pjesë në krimet e luftës në formacione paramilitare, këtë e kanë identifikuar disa shqiptarë gjatë gjykimit të tij, kështu që ai ka mundur të jetë në të ardhmen dëshmitar potencial i atyre krimeve. Ka mundësi të jetë eliminuar si dëshmitar potencial aq më parë sepse ky kishte raporte shumë të këqija me Vuçiqin. Mendoj se vrasja e Ivanoviqit nuk do të ndryshojë raportet midis shqiptarëve e serbëve, meqë të gjithë janë të bindur se shqiptarët s’kanë lidhje me këtë vrasje, ndërsa sa u përket marrëveshjes me Serbinë, këta kanë përdorur shkaqe edhe më të vogla për të bllokuar proceset e ndryshme në Kosovë, transmeton Koha.net intervistën e Kurtit në Patria.
Bosnja e Hercegovina dhe Kosova janë vënë në të njëjtin rrafsh kur bëhet fjalë për integrimet euroatlantike, kështu që haptas pengohet pranimi në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Agjencia Patria citon Kurtin, sipas të cilit Bosnja e Hercegovina fatkeqësisht është një shtet jofunksional, meqë një pjesë e saj, Republika Srpska, si një produkt i gjenocidit, nuk e njeh Bosnjën por synon shkëputjen prej saj dhe bashkimin me Serbinë. Një lloj i tillë i bosnjizimit të Kosovës u bë përpjekje të ndodhë duke krijuar komuna me shumicë serbe e më vonë edhe duke krijuar Bashkësinë e Komunave Serbe, që doli se me të po shkeleshin 23 nene të Kushtetutës së Kosovës. Edhe Bosnja e Hercegovina, edhe Kosova duhet të bëhen shtete funksionale, duke zbatuar sovranitetin e plotë në territoret e tyre. Në këtë udhëtimi të dy vendet i pengon politika shtetërore e Serbisë. Edhe Republika Srpska në Bosnjë, edhe Asociacioni në Kosovë janë projekte politike të Serbisë.
I pyetur se nga po shkon Ballkani, Kurti është përgjigjur se në Ballkanin Perëndimor janë të pranishme interesat e disa fuqive të mëdha, siç janë SHBA, BE (Gjermania, posaçërisht), Rusia, Turqia e të tjerë. Rusia është investitori më i madh në Republika Srpska, më i madh madje se Serbia. Po ashtu Turqia është investitor i madh në disa vende, siç është edhe Gjermani dhe SHBA. Varësisht nga prania politike dhe ekonomike është edhe ndikimi. Mendoj se vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhej të shkonin në drejtim t ë integrimeve euroatlantike dhe europiane, si vende me sovranitet të plotë dhe me vullnetin e plotësuar për vetëvendosje, si një e drejtë universale e të gjithë popujve. Ai po ashtu ka përmendur edhe modelin e socialdemokracisë sipas të cilit rritja ekonomike kombinohet me të drejtën e sociale, që është rrugë e drejtë përpara.