Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ankesat e LDK-së dhe PDK-së për rinumërim të votave në Komunën e Prishtinës, respektivisht në atë të Prizrenit, i ka “ankesa humbësish” që nuk duan ta pranojnë humbjen.
Sipas Kurtit, rinumërimi do të çonte në rivotimin e synuar të këtyre dy partive vetëm për shkak të rezultatit të padëshiruar.
“Kuptimi i rinumërimit ishte sabotimi i numërimit. Ankesat e LDK dhe PDK, në Prishtinë dhe në Prizren, ishin ankesa humbësish që nuk duan ta pranojnë humbjen. Donin rinumërim që të mos mbaronte numërimi i cili do të vuloste fituesit e ditur. Rinumërimi do ta ndërprente numërimin, fillimi i rinumërimit do ta përjetësonte pambarimin e numërimit, drejt rivotimit të synuar për shkak të rezultatit të padëshiruar”, thotë Kurti, raporton Koha.net.
Ai thotë se vendimi i PZAP-së për të çuar në rinumërim Komunën e Prishtinës dhe atë të Prizrenit “ishte bazuar në ato ankesa të pakta, të varfra, e të dobëta, përmbajtësisht, logjikisht e gjuhësisht”.
“Gjykata Supreme nuk do të mund ta pranonte këtë vendim të PZAP-së pa diskredituar veten e saj. Gjykata Supreme nuk mbrojti Lëvizjen Vetëvendosje. Madje, ajo nuk mbrojti as vetëm të drejtën dhe të vërtetën. Gjykata Supreme mbrojti vetveten. Ajo ndodhej në një situatë groteske: çfarëdo qëndrimi tjetër do ta zhvlerësonte vetë Gjykatën Supreme. Nuk ishin në pyetje vetëm e drejta dhe e vërteta por edhe vetë instanca supreme juridike për këto. Gjykata Supreme vendosi në favor të Gjykatës Supreme”, ka deklaruar ai.
Në fund, deputeti i VV-së, Albin Kurti, ka kërkuar numërimin e votave të mbetura “qetë e me vigjilencë”.
“Nuk do të përsëritet numërimi. Le të përsëritet festimi”, tha ai në fund.