Kryeministri, Albin Kurti, në një intervistë për BBC, ka deklaruar se nuk do ta lejojë bosnjëzimin e Kosovës, pavarësisht nëse do të jetë në opozitë apo në pushtet.
“…Duan ta përsëritin Bosnjën në Kosovë. Nuk do ta lejoj këtë, pavarësisht nëse jam në opozitë apo qeveri. Për këtë më votuan njerëzit, të parandaloj bosnjëzimin e Kosovës. Jam i bindur se me programin tonë, do të ndihmojmë serbët po aq sa shqiptarët. Nëse pyesni serbët në Kosovë se cilat janë shqetësimet e tyre kryesore, ata thonë punësimi dhe drejtësia. Beogradi dëshiron të ketë shtet brenda një shteti. Shtetin e Serbisë brenda Kosovës së pavarur”, tha Kurti për BBC.
“Kur nuk u zbatua Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë, asnjë serb nuk protestoi kurrë. Në vitin 1991, më 26 prill, 14 komunat me shumicë serbe në Bosnje u bashkuan me asociacionin e tyre, më 9 janar 1992 shpallën pavarësinë, më 28 shkurt 1992 morën kushtetutën e tyre dhe më në fund 14 dhjetor 1995 në Dejton (qytet në Ohio të SHBA), morën njohjen ndërkombëtare e tyre. Ata duan ta përsëriain Bosnjën në Kosovë. Dhe nuk do ta lejoj këtë”, ka deklaruar Kurti, transmeton Telegrafi.
Kurti ka potencuar se Kosova nuk e ka prioritet dialogun Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, pavarësisht se, sipas tij, kjo çështje nuk do të duhej të neglizhohet.
Sipas tij, qeveria aktualisht po fokusohet në zhvillimin ekonomik të vendit, në sundimin e ligjit kundër korrupsionit dhe gjithashtu me pandeminë e coronavirusit. Ndërsa dialogu me Serbinë renditet si prioritet në vendin e katërt, sipas agjendës së tij.
“Ne fituam zgjedhjet e 14 shkurtit me një fitore të favorshme me prioritet për pune. Nuk dua të neglizhoj normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por zhvillimi ekonomik në një anë dhe sundimi i ligjit në anën tjetër, gjithashtu dhe pandemia, do të thotë se dialogu me Serbinë është në vendin e katërt në agjendën tonë të shtet-ndërtimit demokratik për republikën tonë të pavarur”, ka thënë Kurti.