Deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurti e Donika Kadaj – Bujupi, sot janë dërguar të prangosur në gjykatë. Kundër tyre janë thirrur të dëshmojnë, deputeti i PDK’së Xhavit Haliti dhe ish – deputeti nga LDK Nuredin Ibishi.
Si palë të dëmtuara në gjykatë janë thirrur edhe dy deputete të PDK’së, Flora Brovina dhe Blerta Deliu – Kodra.
Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti dhe ish-deputeti Nuredin Ibishi pritet të dëshmojnë sot në gjykimin e katër deputetëve të VV-së për gazin lotsjellës në Kuvend.
Seanca ishte paraparë të fillonte në orën 9:00, por sigurimi është duke kontrolluar mediat dhe njerëzit tjerë që duan të jenë pjesë e seancës së sotme.
Prezente janë edhe Blerta Deliu e Flora Brovina, që në këtë proces konsiderohen të dëmtuara.
Seanca e fundit lidhur me këtë rast ishte paraparë të mbahej më 22 nëntor, por ishte shtyrë në mungesë të Albin Kurtit, Donika Kadaj-Bujupit dhe Albulena Haxhiut.
Pasi nuk e arsyetuan mungesën e tyre, gjyqtari Kalludra lëshoi urdhër arrest ndaj tre deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Deputetët u liruan vetëm 48 orë pasi ju caktua paraburgimi ndërsa më 27 nëntor u arrestuan përsëri pasi morën pjesë në festimet e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë pas numërimit të votave me kusht dhe atyre me post që i dhanë fitoren kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Atë ditë i pranishëm në gjykatë ishte vetëm Faton Topalli.
Katër deputetët e Vetëvendosjes akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.
Të akuzuarit ishin arrestuar gjatë nëntorit e dhjetorit të vitit 2015.
Seanca fillestare ishte mbajtur më 6 janar 2016.
Pas leximit të aktakuzës, deputetët Kurti, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu nuk ishin deklaruar për fajësinë, ndërsa deputeti Topalli ishte deklaruar i pafajshëm.
Megjithëse nuk u deklaruan për fajësinë, deputetët aktakuzën e kundërshtuan duke e cilësuar politike.