Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti e ka refuzuar ftesën e veprimtarëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për të marrë pjesë në një takim virtual për të diskutuar për perspektivën e strategjitë e veçanta e të përbashkëta të subjekteve kosovare në lidhje me procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, “një takim i tillë do të legjitimonte një proces i cili po zhvillohet tërësisht në mungesë të respektit për qytetarët, institucionet dhe demokracinë e Kosovës”.
“Takimi mes udhëheqësve të institucioneve dhe kryetarëve të partive parlamentare do të kishte kuptim nëse qeveria do të kishte përgatitur një platformë me kërkesa ndaj Serbisë, të cilën do të duhet ta paraqiste në Kuvend për të kërkuar miratimin e 2/3 të deputetëve. Veprimi i qeverisë pa platformë, apo me platformë që i mbahet fshehur Kuvendit, jo vetëm që e fyen demokracinë dhe ne si subjekt më i madh parlamentar, por e dëmton interesin kombëtar”, ka shkruar Kurti.
“Përveç kësaj, si mund të marrim pjesë në një takim të përbashkët me një figurë si presidenti i Kosovës, i cili vetë mbështet një plan krejt tjetër, për ta paguar Serbinë me copëtim të Kosovës nën petkun e shkëmbimit territorial? Ne nuk mendojmë se Kosova i ka borxh Serbisë diçka, dhe nuk dëshirojmë që përmes pjesëmarrjes në takime të zbusim sado pak mungesën e legjitimitetit të atyre që kanë delegjitimuar vetveten. Njohja e Kosovës nuk është diçka që ne mund ta blejmë, atë mund ta fitojmë duke ndërtuar e forcuar shtetin, ekonominë dhe demokracinë”, ka shkruar ndër tjerash kreu i LVV-së.