Nënkryetari i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu bashkë me kandidatin për kryeministër, Albin Kurti kanë pritur sot në zyrat e partisë, ambasadorin francez në Kosovës, Didier Chabert.
Siç njofton Vetëvendosje, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, mbi gjendjen ekonomiko-sociale, si dhe për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës, shkruan Periskopi.
“Sot, në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kandidati për Kryeministër z.Albin Kurti, bashkë me nënkryetarin Dardan Sejdiu kanë takuar Ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, z. Didier Chabert. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike dhe mbi gjendjen ekonomiko-sociale në vendin tonë. Çështja e krijimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës ishte po ashtu në fokus të bashkëbisedimit”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatë thuhet se Kurti dhe Sejdiu, po ashtu, njoftuan ambasadorin francez lidhur me përgatitjet e Lëvizjes Vetëvendosje rreth zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.