Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka folur për situatën e krijuar në Bosnje dhe Hercegovinë, pas deklaratave të udhëheqësit serb të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili është duke kërcënuar me ndarjen e Republika Sërpskës – entitet i banuar me shumicë serbe – nga pjesa tjetër e Bosnjës.
Ai tha se zhvillimet në Bosnje lidhen me Kosovën.
“Zhvillimet në Bosnje ndërlidhen me Kosovën në kuptimin që e kanë të njëjtin problem aspiratën hegjemonike nacionaliste të Beogradit, i cili vazhdon të vajtojë për humbjet që shtetit të Serbisë ia ka shkaktuar.
Unë besoj që Serbia duhet të emancipohet prej viteve të 90’ta që i shkaktoi katër luftëra në Slloveni, Kroaci, Bosnjë Hercegovinë si dhe në Kosovë, me c’rast në këto dy të fundit edhe kreu gjenocid.”, tha kryeministri Kurti në Prizren.
Kujtojmë se situata në Bosnje është përkeqësuar pas deklaratave të Dodik.
Madje gazeta britanike Guardian dje e ka cituar përfaqësuesin e lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, të ketë thënë se ky vend “është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë” dhe se ekzistojnë gjasa “shumë reale” për rikthimin e tij në konflikt.
Përfaqësuesit e Republikës Sërpska janë duke e bojkotuar punën e institucioneve qendrore të Bosnjës që nga fundi i korrikut, kur paraardhësi i Schmidtit, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës në Bosnje.
© SYRI.net