Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova nuk frikësohet kur është pyetur për të komentuar deklaratat e emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, se Kosova s’duhet t’i frikësohet marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Lajçaku të mërkurën në mëngjes u shpreh se Kosova duhet të zbatojë marrëveshjen që e ka nënshkruar për Asociacionin. Ai u shpreh se Kosova s’ka përse të frikësohet, ndërsa shtoi se Asociacioni nuk parasheh Republikë Srpska.
“Si Kosovë keni bërë shumë zotime në 12 vitet e dialogut, keni zbatuar shumë prej tyre, por është një listë që nuk e keni zbatuar, Asociacioni është njëra prej tyre. Pse po mos ta ndryshojmë narrativen, pse në vend se të themi çka nuk duam, pse mos të themi çka duam. Nëse duam të përfundojmë ekzistimin e strukturave paralele, transparencë në qarkullim të parave, nëse duam sundim të ligjit në veri e gjithë kjo mund të bëhet në sistemin kushtetues dhe ligjor të Kosovës. Këshilla ime është të mos frikësoheni për diçka nuk ekziston dhe askush nuk do t’ia imponojë. Dilni me një qëndrim se si i shihni këto funksione. Nuk keni nevojë për të frikësoheni nga një proces që ju jeni duke e drejtuar me Serbinë. Çdo vendim që do të merret do të bazohen në standardet dhe normat evropiane”, ka thënë Lajçak në konferencën për shtyp të mbajtur në Prishtinë.
Ndërkaq pas një vizite në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror, Kurti ka thënë se Kosova nuk frikësohet. Ai ka thënë se s’është diskutuar për asnjë model.
“Kosova nuk frikësohet, por Kosova me Qeverinë e përgjegjshme është e kujdesshme. Ne ju shërbejmë qytetarëve të Republikës dhe mbrojmë interesat e vendit tonë. Interes i shtetit të pavarur i Kosovës demokratike e sovrane, është integriteti territorial, është funksionaliteti shtetëror, është kushtetutshmëria dhe ligjshmëria. Nuk është diskutuar ndonjë model”, ka thënë Kurti. “Ne kemi dhënë propozimet tona në takimet që kemi pasur në Bruksel, dhe jemi konstruktivë për bisedimet e ardhshme në dialogun që zhvillohet i lehtësuar nga BE-ja, me ç’rast parimi i reciprocitetit është parim i shëndosh i marrëdhënieve të mira fqinjësore. Marrëveshja duhet të arrihet. Jemi të gatshëm që të punojmë për këtë dhe kur bisedojmë, bisedojmë për marrëveshjes dhe nuk bëjmë dialog për dialog. Jemi konstruktivë, jemi seriozë. njëkohësisht e vëmë theksin tek ajo që po pajtohen gjithnjë e më shumë të gjithë faktorët ndërkombëtar, e që e ka thënë në mënyrë shumë të qartë edhe presidenti i SHBA-së që marrëveshja për normalizim të plotë duhet ta ketë në qendër njohjen reciprok”.
Kurti ka shtuar se të drejtat e pakicave në Kosovë janë “më të respektuara në nivelin më të larta të standardeve evropiane”.