Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti reagon pas shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë.
Sipas liderit të Vetëvendosjes, shqiptarët duhet të jenë mbrojtësit e çdo cepi të kulturës kombëtare, ndërsa shton se, “”Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli”.
“Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1.200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional.
Arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli.
I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë”, thotë Kurti në reagimin e tij.
© SYRI.net