Kryeministri Albin Kurti do të udhëtojë më 5 dhjetor në Sarajevë, ku një ditë më vonë do të marrë pjesë në një konferencë të organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.
Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga udhëheqësi i kësaj organizate, Adil Kullenoviq, i cili shtoi se kryeministri kosovar do të mbajë një fjalim në këtë konferencë.
“Në këtë sesion do të diskutohet për marrëdhëniet rajonale”, tha Kullenoviq për REL-in.
E për këtë çështje është deklaruar edhe presidenti i Republika Sërpskas, Millorad Dodik.
Ai tha se gjërat në Bosnje dhe Hercegovinë do të komplikohen ndjeshëm “nëse kryeministri i Kosovës Albin Kurti vjen në Sarajevë” dhe përsëriti se faktori serb në Bosnje dhe Hercegovinë nuk e lejon dhe nuk do ta lejojë njohjen e Kosovës.
Ai theksoi se Serbia respekton integritetin territorial të BeH, por është e qartë se Sarajeva nuk e respekton integritetin e Serbisë.
Shoqata “Krug 99” u ka dërguar ftesë personaliteteve dhe palëve të interesuara që të vijnë në seancën e zgjeruar të kësaj organizate joqeveritare, ku fjalën e hapjes do ta mbajë Albin Kurti, të cilin e quajtën “Shkëlqesia e tij – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Kosovë”.
Kryetari i “Krug 99”, Adil Kulenoviq, në ftesë për këtë manifestim, falënderoi veçanërisht mbështetjen e Komunitetit të Shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë për mbajtjen e takimit, i cili do të mbahet më 6 dhjetor në sallën e madhe të Bashkisë në Sarajevë.