Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut ku mbetën të vrarë 45 civilë nga forcat serbe, ka deklaruar se ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, erdhi dhe e foli të vërtetën për Reçakun.Kurti këtë e tha pas homazheve pranë varrit të civilëve të vrarë më 15 janar të 1999-ës në Reçak.
Shefi i Qeverisë e quajti regjim autoritar atë të Vuçiqit, duke thënë se ish-ministri i Informacionit në kabinetin e Millosheviqit.“Erdhi këtu tek fshatarët dhe e foli të vërtetën. Tha: Kjo është masakër dhe është krim kundër njerëzimit. E dihet që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe shovenistëve. Sot e kësaj dite, ambasadori William Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar dhe më i urryer në Serbi, ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar, me ç’rast ish ministri i Informatave të asaj kohe sot është president i Serbisë”, ka deklaruar ai.
“Me 15 janar, në një dimër jashtëzakonisht të ftohtë pati ndodhur ky krim makabër, ndërkaq varrimi i 45 civilëve ka ndodhur vetëm katër javë më vonë. Sepse ka pasur luftë të madhe për kufomat. I kemi edhe 11 ushtarë të UÇK-së që kanë rënë në betejë për mbrojtjen e trupave të masakruara nga Serbia. Ato katër javë tregojnë që Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën dhe prandaj edhe njëherë po e theksoj rëndësinë e të vërtetës nga mendja, sytë, veshtë dhe goja e ambasadorit William Walker, të cilit ne i jemi përjetë falënderues e mirënjohës. Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve”.