Kurti: Nuk mund të jemi të qetë përderisa nuk ka drejtësi për Astritin

Pasi ka bërë homazhe tek varri i Astrit Deharit në pesëvjetorin e vdekjes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të bëhen reforma të thella në sistemin e drejtësisë për viktimat e krimeve të kryera nga Serbia, për ato të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të krimit politik.

Tutje, Kurti e kujtoi Astritin si një djalë shembullor e punëtor.

“Sot janë mbushur pesë vjet pa Astritin. Me shumë dhembje e mall, por edhe me shumë dashuri dhe krenari e kujtojmë për punën, angazhimin, kontributin dhe sakrificën e tij. Pesë vjet pa Astritin janë edhe drejtësi për Astritin. Ai u mbyt në burg, në burgun e Prizrenit më 5 nëntor të vitit 2016 dhe sot e kësaj dite ne nuk mund të jemi të qetë përderisa nuk ka drejtësi për Astritin, përderisa përgjegjësit nuk janë gjykuar e dënuar dhe përderisa nuk është zbardhur në plotni e vërteta për të”.

“Astritin e kemi pas shok të ngushtë, i cili ka qenë shembull për të gjithë neve me aktivitetin, dashamirësinë dhe organizimin që ka bërë, ne ja kemi borxh edhe Astritit por edhe qytetarëve, drejtësinë për Astritin. Duhet të bëjmë e do të bëjmë reforma të thella në sistemin e drejtësisë edhe për viktimat e krimeve të kryera nga Serbia, edhe për viktimat e krimit të organizuar e korrupsionit, edhe të krimit politik çfarë ishte edhe mbytja e Astritit në burg”, tha kryeministri Kurti, njofton Klankosova.tv.

Në pesëvjetorin e Astrit Deharit, do të mbahet edhe një tubim në Bibliotekën e Kosovës.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje vdiq më 5 nëntor të vitit 2016 në burgun e Prizrenit, në rrethana ende të pasqaruara.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme