Kryeministri Albin Kurti, sot i është drejtuar opozitës në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, duke iu thënë të gjithë e dinë se si kanë punuar ata për 11 vjet para se ai të vinte në pushtet.
Ai kështu u deklarua pasi deputetët e partive opozitare e kritikuan qeverinë me menaxhimin dhe formën e vendosjes së reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftimet.
“Besoj se në rrethanat që ndodhemi e kemi marrë vendimin më të mirë të mundshëm e kemi mbështetjen amerikano-evropiane në njërën anë dhe në anën tjetër vendimet e qeverisë fillojnë së zbatuari me datën 1 shtator. Të dielën e 31 korrikut për ata që kanë pasur dyshime është parë se çfarë janë strukturat ilegale të Serbisë, janë pra banda kriminale”.
“Nuk mund të aktrojmë nxitimin në muajin e pushimeve gusht për një gjë që është tani e 11 vjet. Ta keni parasysh para katër viteve kryekrimineli atje që është sot, është pritur në Zyrën e Kryeministrit në Prishtinë. Sot ka fletë arrest edhe është në listën e zezë të Thesarit amerikan, ky është dallim i madh, ai nuk është në veri, ai është në Serbi, në veri ka ardhur vetëm për një foto, ky është dallim i madh, andaj ju lutem mos më shisni moral dhe patriotizëm se ju njohim mirë”,ka thënë Kurti./reporteri