Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pak para takimit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka përkujtuar Masakrën e Studimës së Vushtrrisë.
Kurti tha se Krimet e Serbisë nuk mund të shlyhen kurrë.
“E kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë”, tha Kurti.
Ai i bëri thirrje drejtësisë që ta ndriçojë të vërtetën.
“I bëj thirrje sistemit tonë të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës. Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë”, tha ai.
Haradinaj kujton civilet e vrarë në Studime të Vushtrrisë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj në 24-vjetorin e rënies, ka kujtuar martirët e masakrës së Studimes së Vushtrrisë, duke thënë që ranë për këtë tokë duke u shndërruar në gurë themeltar të lirisë së vendit tonë.
Haradinaj ka shkruar në “Facebook” se ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë dhe vetëm pse aspironin lirinë e vendit.
“Plagët e popullit tonë janë ende të freskëta dhe nuk mund të mbyllen pa u ndëshkuar të gjitha krimet. Në 24-vjetorin e rënies, kujtojmë dhe nderojmë me përulje martirët e masakrës së Studimes së Vushtrrisë, që ranë për këtë tokë duke u shndërruar në gurë themeltar të lirisë së vendit tonë. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse aspironin lirinë e vendit. Nuk do të ndalemi deri sa të dalin para drejtësisë autorët e krimeve. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”, ka thënë ai.
24 vjet nga masakra në Studime të Vushtrrisë, ku u vranë 116 shqiptarë
Janë bërë 24 vjet që nga koha kur në Studime të Vushtrrisë forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm.
Këta të fundit u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri.
Nga dëshmitarët mësohet se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve.
Masakra në Studime të Vushtrrisë nga krerët e institucioneve të Kosovës është quajtur ndër masakrat më të tmerrshme ndaj shqiptare gjatë luftës së fundit.