Kurti për ngritjen e çmimeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur fjalën e presidentit amerikan Joe Biden, që të martën u shpreh se ngritja e çmimeve në gjithë botën të produkteve elementare është kostoja e mbrojtjes së lirisë së Ukrainës.

Në mbledhjen e Qeverisë ai ka thënë se Kosova preket nga ngritja e çmimeve për shkak të varësisë së saj të madhe nga importi.

“Kujtojmë se Rusia është një prej eksportuesve ma të mëdha të gazit dhe naftës në Evropë. Energjia që mundëson prodhimin dhe nafta për transport janë fillimi dhe fundi i zinxhirit. E di edhe kuptojmë shqetësimin e gjithsecilit prej jush për rritjen e çmimeve. Edhe pse kjo s’është shkaktuar nga ne, po na prek edhe ne. Kur para 12 ditëve iu bashkuam botës për sanksionet, një kosto e tillë ishte e pashmangshme. Por kjo është kostoja e mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë”.

Situata në të cilën gjenden qytetarët e Kosovës, është vetëm fillimi i asaj çka pritet të shihet sa i përket rritjes së çmimeve në produkte të ndryshme, përfshirë ato elementare, vlerëson Astrit Panxha, njohës i çështjeve ekonomike.

Sipas tij, ky nuk pritet të jetë problemi i vetëm që do të afektojë tek qytetarët e Kosovës thotë Panxha.

”Ne nuk kemi me u përballë vetëm me ngritje të çmimeve, por ka me qenë vështirë edhe ku me siguru. Për këtë arsye si vend i vogël që jemi, qeveria duhet ta bëjë një Task-Forcë, të shikojë cilat janë shtetet mike të Kosovës që mund të na i ofrojë për arsye të sigurisë kombëtare, këto produkte në kohë dhe me çmim të caktuar”.

”Nëse shkon në SHBA, Ioëa shembull, ai është shtet mik i yni. Thuaji a jemi të binjakëzuar si shtete, çka mund të na sigurosh për këtë periudhë? Kjo është të jesh proaktiv”.

“Njëjtë si vaksinat, nuk guxojmë të humbim kohë e të na ndodhë rasti i njëjtë. Secili shtet po mbyllet në veti. Gjendu vet”, ka deklaruar Panxha në Klan Kosova.

”Duke marrë parasysh, këto dy vende kanë edhe një peshë të madhe në aspektin e furnizimit me lëndë të parë, duke filluar nga Rusia që është furnizues i madh i derivateve të ndryshme, pastaj mineraleve dhe në fund të produkteve bujqësore”.

”Ukraina po ashtu është furnizues i madh i grurit. Mos të harrojmë që në shumë statistika thuhet që Ukraina mund t’i furnizojë me ushqim rreth 600 milionë njerëz. Është prodhuesi më i madh i lulediellit dhe vajit në botë. Ky është vetëm fillimi i një krize që do të thellohet në muajt në vijim, nëse nuk kemi një stopim të konfliktit”.

”Ekzistojnë zëra të ndryshme që Rusisë t’i vendosen sanksione edhe sa i përket derivateve dhe gazit”.

Sipas Panxhës, kësaj situate nuk po i shihet fundi, ndërsa sektori publik, nuk arrin të sigurojë apo lehtësojë prodhimin për sektorin privat, për këtë ai përmendi edhe një shembull.

”Ky është vetëm fillimi i një ngritje të çmimeve, ku fundi nuk po i shihet, po efekti i menjëhershëm në shportën e qytetarit në nivel global e sidomos në Kosovë, është duke u vërejtur”.

“Kemi rritje të çmimit të ushqimit, të derivateve, dhe kjo do të reflektohet edhe në muajt në vijim që për fat të keq është një krizë që nuk na është dashtë në këtë fazë, por që në rrethanat e jashtme, do të ndikohet jashtëzakonisht shumë”.

”Ka diskrepancë të madhe në mes asaj çka ndodhë në sektorin privat, dhe çka din sektori publik. Nuk dimë. Ne nuk e dimë sa janë kapacitetet e mullinjve në Kosovë. Shërbyesit Civilë janë ata që 90% e tyre që kanë qenë edhe me këtë qeveri edhe në të kaluarën”.

”Nuk kemi politika të mirëfillta. Ne përballemi, kemi një rafineri të vajit në Kosovë që në nëntor apo dhjetor është bërë aplikimi për leje me importu acid sulforik që nevojitet në procesin e prodhimit. Dhe vazhdimisht kemi dërgu kërkesa, ”lëshojeni licencën se po përballemi me rezervat e fundit të prodhimit”, nuk kthen përgjigjie. Për ta sensi i kohës nuk ka rol. Koha për biznesin është pare, dhe në rrethanat që jemi tani, koha për biznesin është ose ke me ndalë prodhimin. Ne përballemi me sindromën e nënshkrimit, ku nuk nënshkruhen vendimet. Në përgjithësi, Shërbyesit Civilë, vonojnë vendimet ndaj sektorit privat”.

Ai thekson se për këtë duhet të hapet debat mes sektorit privat dhe publik.

”Mos me u përballë me rastin siç ndodhi me atë të vaksinave. Në këtë rast, duhet të shohim kush është prodhuesi më i madh i grurit pas Rusisë dhe Ukrainës. Me shku me thanë, shteti në sektorin privat duhet të sigurojnë ku janë rezervat e grurit, të vajit, të naftës. Se ne si sektor privat mundemi të shkojnë të negociojnë, por ndikimi qeveritar është ndryshe”.

”Nëse thotë kryeministri i Kosovës na nevojitet grurë kaq, se ne jemi vend i vogël. Kur e thotë përmes kanaleve diplomatike, me u siguru tash, tash është koha se kriza ka me u thellu sa më shumë gjatë konflikti”.

“E konflikti siç po shihet nuk do të kryhet. Çka janë hapat tash? Me u subvencionu me u mbjell gruri tash? Ne mund të presim rritje të çmimit të bukës, vajit, një litër vaj pritet të arrijë 3 euro, por do ketë edhe mungesë, sepse nëse vazhdon me këto trende siç po shihet, gradualisht këto produkte strategjike për çdo shtet secili e mbron për interes të vet”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme