“Çdo vit, dita e mbrame e muajit mars, na rikthen sërish në Rahovec dhe konkretisht këtu në fshatin Pastasel, për ta përkujtuar dhe denoncuar krimin që Serbia e kreu këtu më 31 mars 1999, duke vrarë 106 civilë të paarmatosur shqiptarë”, tha KryeministriAlbin Kurti, në tubimin përkujtimor në shënim të 25 vjetorit të kësaj masakre, shkruan Reporteri.net.
“Këtë vit po bëhen 25 vite prej kur vendi ynë është çliruar nga Serbia. Por derisa të arrijmë te 25-vjetori i çlirimit që është në mes të qershorit, tërë stina e pranverës është e mbushur me 25-vjetor të masakrave që shteti i Serbisë i ka kryer mbi shqiptarët në Kosovë”, tha Kryeministri, duke kujtuar masakrat dhe vrasjet e civilëve shqiptarë gjithandej Kosovës nga forcat serbe të cilat kryheshin të urdhëruara dhe koordinuara nga institucionet më të larta të sigurisë dhe ato politike të shtetit të Serbisë.
Kurti theksoi se adresa e parë e këtyre akuzave për këto krime bashkë me kriminelët e luftës veç e veç është Beogradi zyrtar, me trashëgiminë aq të madhe të përgjegjësisë penale ndërkombëtare dhe të fajit politik të shtetit të Serbisë, që edhe sot e kësaj dite strehon dhe mbron kriminelët e luftës dhe nuk bashkëpunon me drejtësinë për të gjitha krimet dhe masakrat të cilat kanë ndodhur në Kosovë.
“Masakra e Pastaselit ka dëshmitarë dhe dëshmi, të cilat nuk mund të injorohen dhe të cilat duhet të kthehen në dosje provash për aktakuza për krime lufte. Ky është obligim i ne të gjallëve, për të vrarët, për drejtësinë, për ruajtjen e njerëzores dhe për historinë, sepse ajo që ka ndodhur një herë mund të ndodhë sërish, diku tjetër por mbi shqiptarë. Sepse Serbia e papenduar natyrisht që nuk ka ndryshuar qëndrim e qëllim”, shtoi ai.
Duke i përmendur dëshmitë e dëshmitarët, Kurti theksoi se çfarë duhet të ndodhë tash është që këto dëshmi Prokuroria në Kosovë t’i kthej në aktakuza.
“Për mirëqenien e këtyre fëmijëve, për të ardhmen e Pastaselit ne do të përkushtohemi maksimalisht, sepse e dimë që shteti që e gëzojmë dhe liria që e jetojmë i ka rrënjët e saj në gjakun e këtyre martirëve e dëshmorëve të kombit tonë, nga Pastaseli dhe nga mbarë Kosova”, tha Kurti.