Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti duke arsyetuar shkarkimet e bordeve dhe drejtorëve në ndërmarrjet publike, ka deklaruar se sa herë qeveria këtyre zyrtarëve iu cenon interesat korruptive, fillojnë të bërtasin “Amelika, Amelika”.
Shefi i ekzekutivit në detyrë në një konferencë për medie tha se të korruptuarit nuk do t’i mbrojë më askush dhe as SHBA-ja.
“Sa herë që këtyre zyrtarëve të korruptuar qeveria e jona, e juaj e mirë iu cenon interesat korruptive, fillojnë e piskasin ‘Amelika, Amelika’. E keni vërejtur se si orvatën të keqpërdorin Amerikën sa herë që ia përmend korrupsionin. SHBA nuk i mbrojnë më të korruptuarit, ka kaluar çfarëdo kohe e imagjinuar e mund të gjejë strehim në SHBA për shkak të korrupsionit në vendin tënd. SHBA nuk i kanë thënë askujt të vjedhin popullin tënd. Unë nuk kam asnjë kritikë nga SHBA për shkarkimin e bordeve e drejtorëve. E vetmja kritikë më vjen prej këtyre të shkarkuarve”, tha Kurti.