Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar drejtësi për të vrarët gjatë luftës së fundit në Kosovë, e në veçanti të lagjes “Dardania” në Pejë, raporton Ekonomia Online.

Pas homazheve pranë pllakës përkujtimore të kësaj lagje, shefi i ekzekutivit ka thënë se Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale.

“Bashkë me kolegë nga Kuvendi dhe me aktivistë të Lëvizjes sonë bëmë homazhe këtu në Pejë te lapidari, duke u përkulur e duke i përkujtuar 40 të vrarët gjatë luftës së fundit nga forcat serbe këtu në lagjen ‘Dardania’”, ka thënë Kurti, teksa ka thënë se Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale.

Kurti ka kërkuar më shumë punë nga Prokuroria Speciale në identifikimin e kryerësve të masakrave në Kosovë.

“Drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjate dhe për siguri, për të gjithë dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale. Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë dhe Prokuroria Speciale duhet të punojë ditë e natë që t’i nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit dhe në këtë mënyrë të fillojë rehabilitimi për viktimat. Dihet që viktimat nuk janë vetëm të vrarët e të rrëmbyerit por edhe familjet e tyre, farefisi i tyre dhe mbarë shoqëria jonë”, ka thënë Kurti.