Kryeministri Albin Kurti tha se ditët e fundit ka menduar shumë për Irlandën Veriore dhe “se si historia e saj është e lidhur me atë të Kosovës”, në një ligjërim që pati mbrëmë në “Queens University” në Belfast.
Ai foli edhe për mosmarrëveshjet me Serbinë, ndërsa përmendi marrëveshjen e arritur para një viti.
Kreu i ekzekutivit tha se “siguria e Kosovës nuk është vetëm prioritet kombëtar, por edhe evropian”.
E përmendi luftën në Ukrainë.
“Kanë kaluar dy vjet që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Janë humbur jetë të panumërta të pafajshmish, me 6 milionë refugjatë që ikën nga vendi dhe miliona të tjerë të zhvendosur brenda vendit. Kjo ngjarje tragjike ka nënvizuar se autoritarizmi rus përbën një kërcënim të prekshëm, jo thjesht teorik. Për një kohë të gjatë, Evropa ka vepruar me besimin se çdo përshkallëzim i këtij kërcënimi nuk do të përfshinte konflikt të dhunshëm. Megjithatë, ne duhet ta përshtatim politikën tonë me realitetet e kërcënimeve me të cilat përballemi”, tha ai.
Kurti tha nevojitet “përgjigje me forcë”.
“Ngritja e së djathtës ekstreme përbën një rrezik të prekshëm dhe dhuna mbetet një shqetësim urgjent. Veprimet tona duhet t’i përgjigjen me forcë këtyre sfidave të rënda. Vetëm atëherë mund ta mbajmë të gjallë shpresën dhe ta kthejmë atë shpresë në realitetin tonë të ri”, tha ai ndër të tjera. /Zëri