Kurti: Telekomi duhet të rikthehet si lider në treg

Qeveria e Kosovës synon që gjatë këtij viti Telekomi i Kosovës të jetë lider në tregun e telekomunikacionit, në mënyrë që të rikthehet në kompani përfituese, kontribuuese dhe jo shpenzuese e buxhetit të Kosovës, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite që i bëri të hënën kësaj kompanie.

Telekomi i Kosovës dikur ka qenë kompania më fitimprurëse në vend. Kurse viteve të fundit është duke u përballur me një situatë të rëndë financiare. Kjo situatë, sipas ekspertëve të telekomunikacionit, ka ardhur si pasojë e kontratave të dëmshme, vendimmarrjes së gabuar, mungesës së investimeve, ndërhyrjes së politikës në vendimmarrje strategjike të kompanisë dhe nepotizmit.

Për të ndihmuar këtë kompani, Qeveria e Kosovës vitin e kaluar ka ndarë si dividendë 10 milionë euro.

“Ne jemi të interesuar që Telekomin e Kosovës –Vala ta bëjmë lider në Kosovë ashtu siç ka qenë më herët. Dhe për këtë arsye i kemi dhënë mbështetje financiare vitin që lamë pas. Në vitin 2022 jemi të interesuar ta nxjerrim përfundimisht Telekomin nga kriza”, tha Kurti.

Nga viti 2008 deri në vitin 2015, Telekomi i ka paguar Qeverisë së Kosovës mbi 250 milionë euro dividendë. Këto mjete, Qeveria e Kosovës i ka marrë nga Telekomi deri në vitin 2015, kur edhe ka filluar kriza financiare në Telekom.

Dividendi është fitimi i kompanisë që duhet t’i dorëzohet pronarit, në këtë rast Qeverisë.

Ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, tha se në tetë muajt e fundit ka pasur një përmirësim në këtë ndërmarrje.

“Bordi dhe menaxhmenti i Telekomit kanë qenë aktivë dhe të suksesshëm në rritjen e performancës, në uljen e shpenzimeve operative, në ndërprerjen e kontratave të dëmshme, parandalimit dhe shfuqizimit të gradimeve të paligjshme. Kanë bërë gjashtë kallëzime penale për kontrata të ndryshme që janë gjetur në të kaluarën dhe kanë nisur një proces të ristrukturimit për të cilën e kanë përkrahjen tonë”, tha Rizvanolli.

Telekomi i Kosovës është kompani publike, e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile, Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi. Në këtë kompani janë të punësuar rreth 2,500 punonjës.

Telekomi i Kosovës i është nënshtruar dy herë procesit të privatizimit, mirëpo asnjëri prej tyre nuk është finalizuar me sukses.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme