Kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se po i duket që presidenti Hashim Thaçi po e shijon brenda vetes atë që Kurti e quan krizë të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit.
Në një intervistë për Jeta në Kosovë, Kurti për Thaçin tha se nuk ka ndenjur i paanshëm, siç duhej të ishte roli i Presidentit sipas ligjit dhe traditës kushtetuese.
“Që prej periudhës parazgjedhore, e deri në vonesën që i bëri thirrjes së Kuvendit, ai qartësisht ka mbajtur anën e partisë së cilës i përket”, tha Kurti.
“Kjo nuk është dinjitoze nga ana e tij, edhe pse siç duket ai nuk shqetësohet fort për dinjitet”.
“Nuk besoj se ai i ka mjetet për ta zgjidhur krizën, sepse kriza zgjidhet veç nëse PDK lëshon rrugë që shumica të krijojë qeverinë dhe institucionet. Por nga ana tjetër, duket se brenda vetes Thaçi po e shijon këtë krizë të Veselit. Gjithsesi kjo është punë për ta”.