Kryeministri i në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, do të udhëtojë sot për në Hannover të Gjermanisë për të marrë pjesë në panairin më të madh ndërkombëtar të industrisë dhe teknologjisë, “Hannover Messe 2025”.
Kështu është bërë e ditur në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit.
“Kjo është hera e dytë që kryeministri Kurti merr pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme globale për inovacionin, automatizimin dhe transformimin industrial. Gjatë vizitës së tij, Kurti bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të zhvillojë një tur të udhëzuar nëpër pavijonet e kompanive lidere si Bosch Rexroth, Festo, Siemens, Aleph Alpha, SAP dhe Schneider Electric, me fokus në teknologjitë inteligjente të prodhimit, automatizimin industrial dhe ekosistemet digjitale”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se në kuadër të pjesëmarrjes në panair, Kurti do të zhvillojë takime bilaterale me drejtues të kompanive dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë takimin me Dr. Jochen Köckler, Drejtor Ekzekutiv i Deutsche Messe AG, si dhe një takim me Kryeministrin e landit të Baden-Württemberg, z. Winfried Kretschmann.
Po ashtu, Kurti do të vizitojë stendën e Kosovës në Panair, ku këtë vit janë të pranishme disa kompani nga Kosova, përfshirë Tenton, Innovation Academy, Proton Cable, UBT, Nori Glass dhe kompani të tjera që përfaqësojnë kapacitetin prodhues dhe inovativ të vendit tonë. Stenda e Republikës së Kosovës financohet nga KIESA.
“Pjesëmarrja në “Hannover Messe 2025” konfirmon përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të fuqizuar ekonominë, tërhequr investime të huaja dhe ndërtuar partneritete strategjike me kompani dhe shtete të zhvilluara”, thuhet në njoftim.