Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në pritjen lamtumirëse për Ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, shprehu mirënjohjen e tij ndaj diplomatit Gudjev që përfaqëson Republikën e Bullgarisë, një vend që është jo vetëm mik i sinqertë, por edhe partner strategjik i Republikës së Kosovës.
“Gjatë viteve që kemi punuar së bashku, me përkushtimin tuaj, kemi arritur të avancojmë dhe thellojmë marrëdhëniet dypalëshe mes dy shteteve tona”, tha kryeministri.
Gjatë mandatit të ambasadorit Gudjev, në Kosovë janë realizuar pesë vizita të zyrtarëve bullgarë, përfshirë Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev dhe janë organizuar 21 vizita të zyrtarëve të Kosovës në Bullgari, përfshirë këtu takimin e kryeministrit Kurti me Kryeministrin e Bullgarisë, Dimitar Glavchev dhe Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.