Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka thënë se konsideron se çdo ditë që nuk ka dialog me serbët e Kosovës është ditë e humbur.
Kurti këtë deklaratë e ka thënë në tryezën “Alternativa e Vetëvendosjes për dialogun” organizuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës.
“LVV-ja konsideron se çdo ditë që nuk kemi dialog me serbët e Kosovës është ditë e humbur. Ne duhet t’i japim prioritet dialogut me serbët e Kosovës si qytetarët të vendit tonë. Me ç‘rast do të duhej të theksonim , atë që është e përbashkët midis nesh e këto janë mungesa e vendeve të punës, mungesa drejtësisë, por edhe profesionet e ndryshme të përbashkëta që i kemi hallet e përditshme sidomos në fushën socio-ekonomike. Në vend të dialogut ne Bruksel me dyer të mbyllura, dialogu diplomatik ku ftohen krerët e shteteve që marrëveshjen eventuale t’ua shesin popujve përkatës kur të kthehen në vendet e tyre. Ne do të duhej të insistojmë për dialog të hapur shoqëror demokratik më parë se për pajtim për zhvillim”, tha Kurti.
Ndërsa për dialogun e deritashëm ka thënë se nuk ka sjell asnjë rezultat. Madje e konsideron si të nevojshëm krijimin e një Komisioni parlamentar për të hetuar dialogun që deri më tani është zhvilluar.
“Konsiderojmë që për këtë dialog të formohet një komision hetimor parlamentar në mënyrë që të hulumtojmë të gjitha zbatimet dhe mos zbatimi për marrëveshjet nga energjia te telekomunikacioni nga liria e lëvizjes te njohja e diplomave nga policia e gjyqësia në veri të përfaqësimit diplomatik të ndërsjellët nga menaxhimi i përbashkët i kufirit e deri demopminimi anti-kushtetues i Kosovës me fusnotë”, tha Kurti.
Për çështjen e shkëmbimit territorial ka thënë se kjo nuk duhet të ndodh. Pasi sipas tij ndahet veriu, por Luginën nuk mund të merret dot.
“Unë besoj që Serbia dëshiron që ne ta dëshirojmë shkëmbimin territorial. Sepse kur zyrtarët kosovarë flasin dhe deklarohen në favor të shkëmbimit territorial kjo i bie që ke hequr dorë nga veriu ndërkohë që Luginën e Preshevës nuk e merr dot. Shkëmbimi territorial është eufemizëm për ndarje të Kosovës, meqenëse nuk mund ta quajnë ndarje të Kosovës sepse reagimi do të ishte shumë i ashpër atëherë e përdorin një shprehje rezervë , shprehja rezervë shkëmbimi territorial. Kushdo në Prishtinë që deklarohet për shkëmbim territorial veç se ka shpreh gatishmëri për të hequr dot nga Veriu. Ndërkohë që Luginën se merr dot”, tha Kurti.
Në këtë tryezë Kurti ka folur edhe ngutjen e presidenti të Serbisë Aleksandër Vuçiqit për të bërë marrëveshje me Hashim Thaçin para se Kosova të formojë ushtrinë.
“Presidentit Vuçiq i ngutet që marrëveshjen me Thaçin ta bëjë para se Kosova të ketë ushtri. Sepse një shtet kur e ka edhe ushtrinë ai është shumë më afër kompletimit të sovranizimit dhe shtetndërtimit dhe pozita negociatore e atij shteti ndryshon. Presidenti i Serbisë Vuçiq dëshiron dialog dhe marrëveshje me Thaçin para se Kosova të ketë ushtri. Prandaj i ngutet. Arsyeja e dytë madhore se i ngutet është se Serbia ka hapur 12 kapituj prej 30 sosh në procesin e negociatave për anëtarësim në BE e dimë edhe kapitullin 35 aty. Serbisë i ngutet meqenëse ministri i Punëve të jashtme të Gjermanisë Zigmar Gabriel kur ishte së fundmi tha se Serbia duhet ta pranojë, ta njohë Kosovën për të hyrë në BE. Serbia dëshiron që në Bruksel të jetë e armatosur e pajisur me një varg marrëveshje që ka arritur me Thaçin” , tha Kurti.
Ai ka shtuar se arsyeja e tertë madhore që po i ngutet palës serbe është se siç ka thënë ai presidenti Thaçi që për bindjen e tij është më shumë ilegal se sa legal e ka pozitën e cenueshme politike edhe për shkak të raportit të Dick Martit dhe Vuçiqi dëshiron ta shfrytëzon ketë.