Kush e solli Gjykatën Speciale?

Iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale po konsiderohet si çështje e vonuar dhe se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pa ndryshime Kushtetuese.

Kështu ka thënë avokati i njohur, Tomë Gashi, gjatë një prononcimi për Gazetën Intro.

Sipas Gashit, rruga ligjore për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale ekziston dhe se për këtë fillimisht duhet të bëhen ndryshime Kushtetuese, ashtu siç është bërë ndryshimi/ plotësimi i Kushtetutës së Kosovës para nxjerrjes së Ligjit për Gjykatën Speciale.

“Për të shfuqizuar Gjykatën Speciale duhet të votohet me 2/3 e deputeteve të Kuvendit të Kosovës, ndryshimi kushtetues duke i paraprire edhe votimi për këtë i 2/3 te deputeteve te pakicave dhe pas ndryshimeve kushtetuese, poashtu të votohet nga Kuvendi i Kosovës me mbi 2/3 e deputeteve, ligji për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, gjë që duke e ditur forcat politike ne Kuvendin e Kosovës, kjo është shume vështirë të ndodhë”, ka thënë Gashi me skepticizëm.

Tutje Gashi ka thënë se shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale po kërkohet nga ata të cilët kanë qenë dikur pro kësaj gjykate, që sipas tij tash mund të kenë informata se janë shënjestër e saj, duke aluduar në Presidentin Hashim Thaçi.

Gashi ka thënë se “pretendimet e ish-ambasadorit Dick Marty të vitit 2011 të cilat në formë të rezolutës i aprovoj këshilli i Evropës dhe mosdija e akterëve politik ne Kosovë, që të përballen me pretendime të Dick Martit sollën deri tek formimi i Gjykatës Speciale”.

“Iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale është tepër e vonuar, kanë kaluar më tepër se dy vite e gjysmë prej se është nxjerre ligji për Gjykatën Speciale në gusht të vitit 2015, dhe është paksa e çuditshme, se si ata te cilët ishin më të zëshmit për themelimin e Gjykatës Speciale tani kanë ndërruar mendjen dhe haptazi janë kundër”, ka thënë Gashi.

Ndonëse dihet botërisht, që Presidenti Hashim Thaçi ishte personi që bënte presion për formimin e kësaj Gjykate, sipas Gashit pikërisht Thaçi duhet të tregojë arsyen përse ka ndërruar qëndrim në këtë drejtim.

“Personi që më së shumti bëri presion tek deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të themeluar Gjykata Speciale me lloj-lloj arsyetimesh dhe me paraqitje se kjo Gjykatë në esence sipas tij është në të mirë të Kosovës, ishte z. Hashim Thaçi, i cili haptazi bënte presion tek deputetet e partisë së tij PDK, që kjo Gjykatë të themelohet. Tani i njëjti është kundër kësaj Gjykate dhe asnjëherë nuk është thënë publikisht se çka ka ndodhur në ndërkohë, që Presidenti i tanishëm i Kosovës e atëherë Kryetar i PDK-se dhe Ministër i Punëve të Jashtme, e ndërroj qëndrimin, sa i përket Gjykatës Speciale dhe se iniciativat për nxjerrjen e ligjit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale janë të ndikuara politikisht, nga një pjesë e udhëheqësve më të lartë politik dhe shtetëror të Kosovës”, ka thënë ai.

Avokati i njohur, Tomë Gashi, ka thënë se kjo Gjykatë është e padrejtë për shqiptarët dhe gjithashtu e dëmshme për shqiptarët e Kosovës, e në veçanti për ish pjesëtarët e UÇK-së.

“Është e qartë se Gjykata Speciale është jashtëzakonisht e dëmshme për të gjithë shqiptaret si komb, për shqiptaret e Kosovës, në veçanti dhe posaçërisht për ish pjesëtaret e UÇK-së, të cilët do të gjykohen nga kjo Gjykatë, e cila është gjykate ndërkombëtare, nuk ka të bëje asgjë me Kosovën dhe vetëm formalisht është e krijuar nga vota e deputeteve të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se Kosova e ka humbur shansin që ta formojë një vetë Gjykatës Speciale, pasi që sipas tij, kjo nuk ka ndodhur në mungesë të vullnetit politik.

“Sigurisht që Kosova ka mundur që të formoj vetë Gjykatë Speciale nga 17 shkurti i vitit 2008 kur është shpallur Pavarësia e deri më sot, por për këteë nuk ka pasur vullnet politik, dhe as seriozitet të udhëheqëseve të shtetit të ri të Kosovës”, ka përfunduar Tomë Gashi për Gazetën Intro.

Ndryshe, Gjykata Speciale do të gjykojë ish-pjesëtarët e UÇK-së të cilët dyshohen për krime lufte.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme