Kush është Belina Zeneli, prokurorja grua e kandidatit të Foltores në Dibër, që sipas PD mbrojti Ramën me ‘Dosjen 184’

Belina Zeneli, Prokurorja e Dibrës, e cila u shkarkua dy ditë më parë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas kërkesës së ILD, është bashkëshortja e kandidatit të Komisionit të Rithemelimit në Dibër, Premtim Kryemadhi, i cili karrierën e tij ia ka kushtuar arsimit në qytetin e Bulqizës. Ky i fundit u zgjodh kandidat në kampin e Berishës për zgjedhjet e 6 Marsit, ku mori 424 vota, ndërsa në garë përballë tij ishin Behar Dema dhe Dafina Muda.


Zeneli kishte në dorë dosjen e famshme 184, ndërsa në fillimet e hetimeve për çështjen në fjalë, prokurorja është akuzuar nga Partia Demokratike se mbrojti Kryeministrin Edi Rama.

Partia Demokratike bazohet në disa biseda të bëra publike në mediat shqiptare mes deputetit Flamur Noka me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Në aplikacionin “Whatsapp”, Noka ka komunikuar gjatë seancës së fundit plenare me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, bisedë, e cila mban orën 12:17.

“Lëre edhe njëherë Berishën për procedurë”, lexohet t’i ketë shkruar Noka, kryeparlamentares.

Po ashtu ai ka komunikuar edhe me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja.

Ishin kamerat e Kuvendit që fiksuan pamjet, në një kohë që Noka herë pas here hedh akuza të rënda ndaj kundërshtarëve politikë.

Dy ditë më parë, prokurorja Zeneli do të shkarkohej nga detyra nga KLP, pasi nga hetimi ka rezultuar se ajo kishte zvarritur disa akte procedurale përgjatë periudhës 2013-2021. Në njoftim thuhet se veprimet e saj kanë cenuar imazhin e organit të akuzës duke ulur besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

Dosja 184 që solli debate të shumta në skenën politike në vend u mbajt për një kohë të gjatë në sirtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe më pas ndërroi disa herë duar prokurorësh duke e kthyer në një ping-pong mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Dibrës për çështje të kompetencës.  Përpos seancave të fillimit të gjykimit të kësaj dosje, në seancat e tjera nuk ka marrë pjesë asnjë përfaqësues i opozitës, që për shumë kohë e kishte kthyer në kalin e betejës së Partisë Demokratike, nën arsyetimin e mbrojtjes së votës së lirë.

Akuzat e Partisë Demokratike për Prokuroren Belina Zeneli si ‘mbrojtësja’ e bandës së Ramës në dosjen 184:

Partia Demokratike do të reagonte ditën e djeshme pasi u bë publike koalicioni mes ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe LSI, që do të garojnë në 6 mars në logon “Shtëpia e Lirisë”. PD tha se Berisha zyrtarizoi partinë e vjetër Meta-Berisha-Rama dhe që simbolizojnë politikën e vjetër dhe korrupsionin.

PD gjithashtu sulmoi edhe kandidatin e Dibrës së Berishës, Premtim Kryemadhi duke thënë se bashkëshortja e tij prokurore, Belina Zeneli mori në mbrojtje bandën e Edi Ramës, duke mos hetuar Dosjen “184” të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër.

Partia Demokratike do të reagonte sërish sot përmes një deklarate për mediat, ku e konsideron kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” në Dibër një poshtërim që Berisha iu bën demokratëve.


Sipas PD Premtim Kryemadhin nuk e lidh asgjë me demokratët, duke vënë në dukje se ai është bashkëshorti i prokurores që sipas selisë blu mbrojti Edi Ramën duke mos hetuar dosjen 184.

“Kandidimi në Dibër i bashkëshortit të prokurores që mbrojti bandën e Edi Ramës, duke mos hetuar dosjen 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, është poshtërsi dhe tallje me dibranët dhe demokratët dibranë që masakrën zgjedhore e provuan të parët në 2016. Premtim Kryemadhin nuk e lidh asgjë me demokratët, por përzgjedhja e tij sqaron më së miri komunikimin privat të Flamur Nokës me Ulsi Manjën. Nëse bashkëshortja e Kryemadhit  do të hetonte dosjen 184, Ulsi Manja do ishte në burg. Tashmë skema e bashkëpunimit Rama-Meta-Berisha është e qartë për çdo shqiptarë. Po zgjodhe Sali Berishën e  Ilir Metën mban Edi Ramën. Nëse zgjedh Edi Ramën mban Sali Berishën dhe Ilir Metën”, thuhet në deklaratën e sotme të PD.

Kryeprokurori Olsian Çela kërkoi shkarkimin e Prokurores në maj të vitit të kaluar:

Në 21 maj të vitit 2021 Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela do t’i kërkonte Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nisjen hetimit për shkeljet individuale të kryera në ushtrimin e detyrës për prokuroret Belina Zeneli dhe Xhoana Mehmetaj.

Zeneli dhe Mehmetaj ushtronin detyrën në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër dhe ky inspektim vjen pasi janë konstatuar veprime, të cilat mund të përbëjnë zvarritje të rëndë të veprimtarisë procedurale, si dhe shkelje të dispozitave ligjore urdhëruese të Kodit të Procedurës Penale.

Pjesë e këtij hetimi, Çela kërkoi që të ishte edhe veprimtaria e drejtuesit të Prokurorisë Rifat Kojku, për mënyrën se si janë ushtruar kompetencat, në lidhje me masat e marra nga ana e tij, për të parandaluar situatën e krijuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër.

“Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela bazuar në ligjin nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, në datën 21.05.2021 i ka kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nisjen e procedurës së inspektimit për hetimin e shkeljeve individuale të kryera në ushtrimin e detyrës për prokuroren Belina Zeneli dhe prokuroren Xhoana Mehmetaj në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër pasi janë konstatuar veprime të cilat mund të përbëjnë zvarritje të rëndë të veprimtarisë procedurale, si dhe shkelje të dispozitave ligjore urdhëruese të Kodit të Procedurës Penale. Pjesë e këtij inspektimi kërkohet të jetë dhe veprimtaria drejtuese e drejtuesit të prokurorisë Rifat Kojku, për mënyrën se si janë ushtruar kompetencat e dhëna nga ligji Nr 97/2016, në lidhje me masat e marra nga ana e tij, për të parandaluar situatën e krijuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër. Prokurori i Përgjithshëm mbështet të gjitha nismat që kontribuojnë në mirëfunksionimin e shërbimit të prokurorisë në të gjitha nivelet, duke synuar rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve prokurorë gjatë ushtrimit të detyrës dhe zhdukjen e kulturës së pandëshkueshmërisë brenda institucioneve të drejtësisë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me kërkesën e Olsian Çelës.

Shkelje gjatë ushtrimit të detyrës, KLP shkarkon Prokuroren e Dibrës, Belina Zeneli:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur dy ditë më parë për shkarkimin e prokurores së Dibrës Belina Zeneli, e njohur midis të tjerash edhe si prokurorja e dosjes 184, për hetimin e blerjes së zgjedhjeve për Bashkinë e Dibrës, të zhvilluara në vitin 2016.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për dhënien e masës disiplinore “shkarkim nga detyra” për prokuroren Belina Zeneli e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër. Hetimi ndaj magjistrates nisi pas ankesës së depozituar në ILD nga Prokurori i Përgjithshëm. Nga hetimi disiplinor që përfshiu punën e magjistrates në periudhën 2013-2021, u konkludua se veprimet dhe mosveprimet e prokurores përbëjnë mospërmbushje të pajustifikuar dhe të përsëritur të funksioneve gjatë hetimit, duke sjellë zvarritje të pajustifikuara të akteve procedurale, të cilat janë të detyrueshme për zbatim nga ana e magjistratëve. Magjistratja ka kryer të njëjtën shkelje, gjatë periudhës kohore 2013- 2021, duke bërë që shkelja të jetë vazhduese. Veprimet e magjistrates Belina Zeneli kanë sjellë pasoja në dhënien e drejtësisë dhe kanë cënuar imazhin e organit të akuzës duke ulur besimin e publikut tek drejtësia. Ato përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskrediton pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i propozoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë masën disiplinore “Shkarkim nga detyra”, parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “dh” dhe neni 111, pika 2 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe neni 148/d, pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, masë që u pranua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.”, thuhej në njoftimin e datës 31 janar 2022, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në lidhje me vendimin për shkarkimin e Prokurores së Dibrës, Belina Zeneli.

Shkeljet e konstatuara nga KLP për Belina Zenelin:

Gjatë një seance dëgjimore në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ku janë prezantuar gjetjet e raportit, përfaqësuesja e ILD-së tha se prokurorja Zeneli (Kryemadhi) kishte kryer shkelje të rënda të Kodit të Procedurës Penale, pasi nuk kishte ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore. Sipas gjetjeve nga hetimi disiplinor, rezulton se prokurorja kishte mbajtur pezull mbi 33 çështje, statusi i të cilave ishte ende i paqartë dhe nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për mbi 300 kallëzime.

“Si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të magjistrates, nuk u janë dhënë zgjidhje ligjore 33 procedimeve penale, si dhe nuk është kryer asnjë veprim verifikimi në lidhje me 300 kallëzime”, thuhet në kërkesën e ILD-së për procedim disiplinor.

Duke i konsideruar shkeljet si shumë të rënda, përfaqësuesja e ILD-së kërkoi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë që prokurorja e Dibrës të shkarkohej nga detyra.

“Veprimet dhe mosveprimet e magjistrates B. Z. përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskrediton pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i propozon Këshillit të Lartë të Prokurorisë masën disiplinore ‘Shkarkim nga detyra’”, thuhet në kërkesën e ILD-së.

Çfarë tha vetë Prokurorja Zeneli gjatë seancës dëgjimore:

Gjatë seancës dëgjimore pranë KLP-së, prokurorja Zeneli i kundërshtoi gjetjet, duke lënë të kuptonte se ngarkesa e madhe në punë dhe eprorët e saj e kishin penguar të kryente detyrën.

“Nuk jam tërhequr as në ‘97-ën”, tha Zeneli duke iu referuar dosjeve që kishte hetuar.

Ajo deklaroi se disa prej dosjeve që ishin mbajtur të hapura, ishin për shkak të vendimeve të padrejta të eprorëve të saj. Gjithashtu, prokurorja e Dibrës deklaroi se disa dosje i ishin ngarkuar qëllimisht nga eprorët kur ajo kishte qenë me leje. Ajo tha se shumë prokurorë ishin larguar nga Prokuroria e Dibrës pikërisht për këtë çështje dhe se shumë prej dosjeve të lëna pezull prej tyre i ishin ngarkuar asaj.

Duke kundërshtuar kërkesën e ILD-së, prokurorja Zeneli tha se masa e kërkuar ishte ekstreme, duke i kërkuar KLP-së që të merrej parasysh ngarkesa në detyrë.

Gjetjet e hetimit nga ILD:

Nga ana e prokurores B. Z. janë ndërmarrë veprime dhe mosveprime qe përbëjnë mospërmbushje të pajustifikuar dhe të përsëritur të funksioneve gjatë hetimit, duke sjellë zvarritje të pajustifikuara të akteve procedurale. –

Si pasojë e veprimeve e mosveprimeve, nuk u janë dhënë zgjidhje ligjore 33 procedimeve penale, si dhe nuk është kryer asnjë veprim verifikimi në lidhje me 300 kallëzime.

-Magjistratja ka zvarritur hetimet paraprake duke mos i kryer veprimet hetimore në kohë dhe në dinamikë për periudha të gjata kohore, tej afateve procedurale dhe pa pasur arsye ligjore.

-Magjistratja ka kryer të njëjtën shkelje, gjatë periudhës kohore 2013 –2021.

-Shkeljet procedurale të kryera nga magjistratja provohet të jenë kryer me dashje direkte.

Në vitin 2014 i është dhënë masa disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”.

Çfarë është dosja 184, ecuria e gjyqit dhe zvarritjet e herëpashershme:

Dosja 184 u bë fillimisht publike në janar 2019, falë një investigimi të BIRN mbi përfshirjen e krimit të organizuara në vjedhjen e votave dhe kërcënimin e votuesve në zgjedhje. Por hetimet për të u zvarritën për një kohë të gjatë në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa kur ato u përfunduan akuzat për disa nga të dyshuarit ishin parashkruar.

Vetëm katër persona u morën të pandehur dhe u dërguan në gjykim nga prokurori i Dibrës Urim Buci. Veç Agës dhe Hotit, në një gjyq paralel po shqyrtohet çështja ndaj ish-drejtorit të Arsimit Drini Gjeci dhe ish-administratorit Nuri Meda.

Shumica e seancave në të dy proceset nuk kanë qenë efektive për shkak të mungesës së avokatëve dhe në ndonjë rast edhe të pandehurve. Në të dy proceset avokatët janë gjobitur për mungesat pa arsye, por në njërin prej gjyqeve gjyqtari Ardit Kuka u përjashtua për shkak se mori masa ndaj avokatëve.

Dosja 184 u dërgua në gjykatë në fund të vitit që shkoi,  ndërsa më 12 shkurt 2021 Gjykata e Dibrës e kaloi për gjykim. Dosja u nda më pas në dy pjesë të pandehurit Aga dhe Hoti po gjykohen në një gjyq normal në të cilin pritet të ketë edhe dëshmitarë. Ndërkohë të pandehurit Drini Gjeci, ish-drejtori i Zyrës Arsimore, në akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve”, dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre, po gjykohen në një gjyq të shkurtuar i cili po ashtu është shtyrë disa herë.

BILD publikoi përgjimet e Dosjes 184:

“Bild” publikoi 10 përgjime të reja të dosjes hetimore 184 në qershor të vitit 2019, të cilat sipas saj, dëshmojnë vjedhjen e votave në zgjedhjet vendore në Dibër. Sipas gazetës gjermane, në përgjime janë zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste të cilët komunikojnë me drejtuesit e policisë vendore e biznesmenë. Ministri i saj kohe, Damian Gjiknuri bisedon me Imer Lalën, që sipas ‘Bild’, është i dënuar për vrasje.

Në një tjetër përgjim, një shef policie në Dibër flet me një biznesmen ku i tregon pretendimin për numrin e votave.

Në përgjimin numër dy të publikuar nga “Bild”, është zbardhur biseda mes deputetit të PS-së, Xhemal Qefalia, dhe shefit të policisë në Dibër, Robert Aga. Ai e siguron ketë të fundit se ka folur mirë për të para Kryeministrit Rama, duke i kërkuar që ta rrisë atë në detyrë.

Në përgjime është është dhe deputeti Qefalia, i cili flet me shefin e policisë në Dibër Robert Aga dhe më  më pas ia kalon telefonatën Saimir Tahirit, ministrit të Brendshëm të asaj kohe. Në përgjim Imer lala dhe Damian Gjiknuri flasin për monitorim tenderash.

Në një përgjim tjetër, Imer lala, i cilësuar nga “Bild” si bosi i mafias, flet me një person i cili i kërkon t’i kthejë kartën e identitetit një votuesi që është paguar, sipas “Bild”, nga Lala.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme