Një shpërthim në një biznes tronditi qytetin e Lushnjes ditën e sotme. Si pasojë 1 person ka ndërruar jetë, ndërsa 10 të tjerë janë plagosur, mes tyre edhe deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela, në pronësi të të cilit është biznesi. Deputeti Çela është deputet i Lushnjes prej dy mandatesh, i dalë nga lista shumëemërore e Partisë Socialiste.
Karrierën e tij politike e nisi që në vitin 1991, kur u zgjodh anëtar i PS në Kongresin e parë pas shembjes së diktaturës. Nga viti 2002 deri në vitin 2006 ka qenë Sekretar Organizativ i Rrethit të Lushnjës.
Prej vitit 2012 është kryetar i PS së rrethit Lushnjë. Sa i përket karrierës profesionale ai ka mbajtur më parë poste të niveleve të ndryshme në administratë.
Detaje të reja janë zbuluar nga shpërthimi i fuqishëm që ndodhi pasditen e sotme (1 mars) në një ndërtesë në Lushnje, ku humbi jetën një person dhe u plagosën nëntë të tjerë, mes tyre edhe deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela.
Mësohet se vinçi që po kryente punimet ka bërë kontakt me tensionin e lartë 20 mijë volt e për këtë shkak ka ndodhur edhe shpërthimi.
Deputeti i zonës Bujar Çela i cili i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, po ndiqte punimet.
Në vendin e ngjarjes, mbërriti edhe ministri i Brendshëm, Tualant Balla, i cili po ashtu shkoi edhe në spitalin e Lushnjes, ku ishin disa prej të plagosurve, mes tyre edhe deputeti.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 16:05 në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim dyshohet se gjatë punës, një vinçier duke drejtuar një vinç, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm.
Si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën shtetasi L. V., dhe janë plagosur 8 shtetas mes tyre dhe deputeti B. Ç., të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjeksore.
Menjëherë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe Komisariati i Policisë Lushnjë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.