Gazetar: Adrian Kerimi
Dy koalicione me mandate të barabarta, siç është rasti me LSDM-në dhe BDI-së do të komplikojnë ndarjen e pozitave që i takojnë partive opozitare, kryetarin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe dy trupat punues në Kuvend, Komisionin për financa dhe buxhet dhe Komisionin e përhershëm anketues për liritë dhe të drejtat e njeriut. Normat ligjore nuk i referohen koalicioneve, por partive politike si pozitë dhe opozitë. Përkatësisht, Kodi Zgjedhor i referohet “dy partive në opozitë” dhe jo koalicioneve. Ndërsa në dispozita tjera i referohet partive në opozitë të cilat në zgjedhjet e fundit për deputet në Kuvend që kanë siguruar më së shumti vota.
“Nga kandidatët e propozuar në listë, partitë politike në opozitë propozojnë kryetarin dhe dy anëtarë në KSHZ, ndërsa partitë në pushtet propozojnë nënkryetarin dhe tre anëtarë”. – Kodi Zgjedhor, neni 27, paragrafi 27.
Edhe në Kuvend, Rregullorja nuk i referohet koalicioneve por grupeve parlamentare, apo “numrit të deputetëve në grupet parlamentare”. Në këtë situatë mbetet e paqartë se cilit koalicion do t’i takon kryetari i Komisionit për financa dhe buxhet, derisa LSDM-ja dhe BDI-ja si udhëheqëse të koalicionit (derisa përfundojnë si parti opozitare) nuk ndahen në subjekte të veçanta me qëllim organizimin nëpër trupa punues.
“Përbërja e trupave punues dhe e komisioneve anketuese përcaktohet me vendim të Kuvendit, varësisht nga numri i deputeteve në grupet parlamentare, nga deputetët të cilët nuk janë të organizuar në grupe të deputetëve dhe në përputhje me Ligjin për mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve”. – Rregullorja e Kuvendit, Neni 118, paragrafi 5.
Sipas certifikimit të 118 deputetëve, derisa pritet certifikimi edhe i dy deputetëve të tjerë, Koalicioni “Fronti Evropian” dhe Koalicioni “Për të ardhme Evropiane” kanë nga 18 mandate, ndërsa me numër të votave Koalicioni “Për të ardhme Evropiane” është mbi 17 mijë vota para “Frontit Evropiane”. Deri më tani nuk ka pasur praktika kur partia e parë dhe e dytë opozitare është ndarë me numër të votave. /Alsat.mk