Kush është Friedrich Merz, njeriu që pritet të bëhet kancelar i Gjermanisë?

Associated Press

Friedrich Merz, i cili është në rrugë për t’u bërë kancelari i 10-të i Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, pas zgjedhjeve kombëtare, ka thënë se do ta bëjë prioritet unitetin evropian dhe sigurinë e kontinentit, ndërkohë që përballet me administratën e re Trump dhe luftën e Rusisë në Ukrainë.

Merz tha të hënën se blloku i tij konservator kishte fituar një numër të mjaftueshëm ulësesh në zgjedhjet kombëtare për të ndërtuar një koalicion me Socialdemokratët e qendrës së majtë (SPD), të kancelarit në largim, Olaf Scholz.

Ai shtoi se bisedat do të fillonin në ditët e ardhshme dhe do të zgjasnin disa javë.

Çështjet kryesore do të ishin marrëdhëniet e jashtme, migrimi dhe ekonomia, tha ai.

Merz ka thënë se nuk do të punojë me partinë anti-imigracion të së djathtës ekstreme AfD (Alternativa për Gjermaninë), pavarësisht se kjo parti përfundoi e dyta.

Lideri konservator 69-vjeçar i fitoi zgjedhjet kombëtare të Gjermanisë me 28.5 për qind të votave.

“Unë jam gjithashtu i vetëdijshëm për shkallën e detyrës që tani na pret”, u tha ai mbështetësve pas fitores së tij të dielën natën.

“Bota jashtë nuk na pret, dhe nuk po pret për biseda dhe negociata të zgjatura koalicioni”.

Merz, avokat me profesion, pa rënien e karrierës së tij për shkak të ish-kancelares Angela Merkel në fillimet e viteve 2000 dhe madje e la politikën për disa vjet. Pavarësisht përvojës së tij politike, ai nuk ka shërbyer më parë në qeveri.

Rivaliteti me Merkelin

Merkel e ka përshkruar Merzin si një folës brilant dhe ka lavdëruar dëshirën e tij për udhëheqje, megjithëse ajo e ka pranuar se ky ishte një problem në marrëdhënien e tyre.

“Jemi pothuajse të një moshe… U rritëm krejtësisht ndryshe, gjë që ishte më tepër një mundësi se një pengesë,” shkroi ajo në librin e saj “Liria” (Freedom).

“Por, kishte një problem, që nga fillimi: Të dytë donim të ishim shef”, tha ajo.

Merkel u përpoq të konsolidojë kontrollin e saj në qendrën e djathtë të Gjermanisë, pasi Unioni humbi ngushtë në zgjedhjet kombëtare më 2002. Ajo e largoi Merzin nga pozita e udhëheqësit e grupit të saj parlamentar, duke marrë vetë këtë detyrë, përveç asaj të udhëheqjes së partisë Bashkimi Demokratik Kristian që e kishte. Ajo vazhdoi të udhëheqë Gjermaninë nga 2005 deri në 2021.

Angela Merkel duke biseduar me Friedrich Merz, atëherë anëtar i parlamentit gjatë një sesioni të Parlamentit gjerman në Reichstag të Berlinit, më 17 shkurt 2000.
Angela Merkel duke biseduar me Friedrich Merz, atëherë anëtar i parlamentit gjatë një sesioni të Parlamentit gjerman në Reichstag të Berlinit, më 17 shkurt 2000.

Largimi nga politika

Merz nuk u mor aktivisht me politikë për disa vjet pasi u largua nga Parlamenti më 2009.

Ai u mor me avokaturën dhe drejtoi bordin mbikëqyrës të degës gjermane të menaxherit të investimeve BlackRock. Gjatë kësaj periudhe, ai shpesh udhëtonte për biznes në Shtetet e Bashkuara dhe Kinë, megjithëse nuk ka jetuar kurrë jashtë Gjermanisë.

“Friedrich Merz ndoshta është kancelari më ndërkombëtar që ka pasur Gjermania që nga lufta — nëse bëhet kancelar”, tha Volker Resing, i cili shkroi biografinë e sapo botuar “Friedrich Merz: Rruga e tij drejt pushtetit.”

Merz “mbështetet në iniciativën personale, në lirinë e individit, në krijimtari dhe motivim. Dhe vetëm më pas në shtet”, tha Resing.

Rikthimi politik

Merz nisi rikthimin e tij politik pasi Merkel dha dorëheqje si udhëheqëse e CDU-së më 2018 dhe njoftoi se nuk do ta kërkonte mandatin e pestë si kancelare.

Megjithatë, ai u mposht ngushtë nga kandidatët qendrorë më 2018 dhe fillimet e 2021-shit.

Merz vazhdoi dhe u zgjodh si udhëheqës i partisë në përpjekjen e tretë, pas humbjes së qendrës së djathtë nga kancelari aktual, Olaf Scholz, në zgjedhjet e Gjermanisë më 2021. Ai e forcoi pushtetin e tij duke u bërë gjithashtu udhëheqësi i Grupit Parlamentar të Unionit.

Sipas Resing, “mënyra e Merzit për të bërë politikë” nuk është t’i shmangë përballjet me çdo çmim. Në vend të kësaj, ai mban një perspektivë se “një sasi e caktuar provokimi mund të nisë një debat të vërtetë dhe ndoshta një zhvillim të vërtetë në lëvizje”.

Gjatë fushatës zgjedhore, Merz ka premtuar të forcojë sërish ekonominë e Gjermanisë dhe të kufizojë migracionin e parregullt.

Me presidentin Donald Trump të rikthyer në Shtëpinë e Bardhë dhe tensionet në rritje mbi mënyrën për të zgjidhur luftën në Ukrainë, Merz, i cili e ka mbështetur prej kohësh një marrëdhënie të fortë transatlantike, tha pas fitores së tij se prioriteti i tij kryesor është ta bashkojë Evropën përballë sfidave që vijnë nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.

“Nuk kam asnjë iluzion për atë që po ndodh në Amerikë”, u tha ai mbështetësve. “Ne jemi nën një presion kaq të madh … prioriteti im absolut tani është me të vërtetë të krijoj unitet në Evropë”.

A po flirtonte me të djathtat ekstreme?

Merz vendosi për forcimin e ligjeve të emigracionit të Gjermanisë në krye të fushatës zgjedhore pasi një migrant vrau dy persona në një sulm me thikë në qytetin bavarez Aschaffenburg muajin e kaluar.

Ai solli para Parlamentit një propozim jo-obligues, duke kërkuar që migrantët të kthehen mbrapa nga kufijtë e Gjermanisë. Propozimi u miratua ngushtë falë votave nga e djathta ekstreme, AfD.

Kjo bëri që kundërshtarët e tij ta akuzonin Merzin se kishte shkelur një tabu duke supozuar se ka punuar me AfD-në, gjë që çoi në një denoncim publik nga Merkel.

Kritikuesit treguan këtë episod si një ilustrim të asaj që thonë se Merz ka tendencë për impulsivitet.

Që atëherë, qindra mijëra njerëz kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër propozimit të Merzit, si dhe kundër ngritjes së të djathtave ekstreme.

Pamje nga protesta në Berlin kundër planeve të migrimit.
Pamje nga protesta në Berlin kundër planeve të migrimit.

Merz ka insistuar se nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe se kurrë nuk ka punuar me AfD-në, dhe gjithashtu ka përsëritur se “kurrë” nuk do të bashkëpunojë me këtë parti nëse bëhet kancelar.

Rrënjët në Gjermaninë rurale

Merz përfaqëson rajonin e tij rural në Parlamentin e Gjermanisë — një zonë ku njerëzit janë “me këmbë në tokë, ndoshta pak të rezervuar”, tha Resing. “Kjo është ajo që e ka formuar: jeta rurale”.

Si politikan, Merz gjithmonë ka mbrojtur vlerat konservatore dhe ka theksuar rëndësinë e familjes.

Ai e takoi bashkëshorten e tij, Charlotte, e cila tani është gjykatëse, ndërkohë që ai studionte drejtësinë. Çifti ka tre fëmijë të rritur.

Friedrich Merz dhe gruaja e tij Charlotte Merz duke shkuar për të votuar për zgjedhjet e përgjithshme, në Arnsberg, Gjermani, 23 shkurt 2025.
Friedrich Merz dhe gruaja e tij Charlotte Merz duke shkuar për të votuar për zgjedhjet e përgjithshme, në Arnsberg, Gjermani, 23 shkurt 2025.

Merz iu bashkua CDU-së në vitin 1972 dhe u zgjodh në Parlamentin Evropian në vitin 1989. Ai hyri për herë të parë në Parlamentin gjerman në vitin 1994.

Në karrigen e pilotit

Si një pilot i pasionuar për hobin e tij, Merz ndonjëherë piloton avionin e tij të vogël nga shtëpia në rajonin Sauerland në Gjermaninë perëndimore drejt Berlinit, herët në mëngjeset e së hënës.

Ai ka vazhduar të fluturojë, pavarësisht orëve të gjata që i imponohen nga puna e tij si udhëheqës i opozitës dhe kritika herë pas here se ka një hobi të një njeriu të pasur.

“Kur flisni me të për fluturimin, sytë e tij shkëlqejnë”, tha Resing. “Ai thotë se kur je mbi re, ajo është liria”./REL

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme