Avokati, Azem Vllasi, është plagosur sot, e hënë, nga Murat Jashri, i cili e ka pranuar edhe në dëshminë e tij në polici se vrasjen ka dashur ta kryejë për shkak se e cilëson Vllasin tradhtar.
Por, ai ka thënë se nuk vepron i vetëm dhe se është pjesë e një grupi të madh, që shtrihet edhe në dy shtete të tjera, pos Kosovës.
Jashari, vëllai i Ismet Jashrit, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në deklaratën e tij, po ashtu ka përmendur edhe emrin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, por edhe të zyrtarëve të tjerë të Kosovës, të cilët ai i cilëson si tradhtarë.
Ndërsa i dyshuari tjetër për sulmin e sotëm është, Avni Llumnica, vëllai i dëshmorit, Nexhmi Llumnica, i vrarë nga policët serbë në maj të vitit 1999 në Konushevc të Podujevës, njofton Klan Kosova.
Deri tani nuk ka ende informacione se kush është struktura e organizuar të cilën e ka përmendur Jashari, e as se cilat janë shtetet ku vepron kjo strukturë.
Nuk dihet as përse ishte pikërisht Azem Vllasi që u sulmua i pari, apo ishte çështje rastësie.
Por, për këto dhe të tjera informacione policia do të mund të hetojë pasi të dyshuarit i arrestoi menjëherë pas sulmit, në periferi të Prishtinës derisa kishin marrë rrugë për në Ferizaj.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, lidhur me rastin në fjalë janë arrestuar deri tani dy persona të dyshuar, ku njëri prej tyre M. J. (1956) dyshohet se është kryerësi i kësaj vepre, ndërsa personi i dyshuari i dytë është A. LL. viti (1964)”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Kurse Vllasi, që për momentin gjendet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është jashtë rrezikut për jetë.
Arben Grazhdani nga Qendra Klinike Universitare e Prishtinës, ka thënë se “plumbi ka hyrë në pjesën e përparshme të krahut. Ka shkaktu thyerje të klavikullës. Ka shkaktuar dhe dëmtime të indeve të buta e është ndal tek pjesa e qafës, por nuk kishte ndonjë problem të tërheqje së predhës”.
Avokati Tomë Gashi në Info Magazine të Klan Kosova, tha se nëse zyrtarët e lartë shtetëror të vendit janë në listën e të dyshuarit që plagosi Vllasin, mund të sjell kaos.
”Nuk duhet të hakmerret dikush ndaj tij vetëm nëse nuk i pëlqen dikujt diçka e publikuar në librin e tij. Rastet kur përdoren armë dhe gjuhën plumba, nuk janë më punë e fjalëve. Jeta e secilit njeri është e njëjtë. Kryeministri mbrohet edhe si person por mbrohet edhe si funksionar i shtetit”.
”Nëse ne nuk jemi në gjendje të mbrojmë një Kryetar shteti e Kryeministrin, atëherë është asgjë punë. A duhet ne të kërkojmë nga KFOR-i”, tha ai.
”Ai zyrën e tij e ka në shtëpinë e tij. Shtëpia e tij është përball banesës ku jeton Kadri Veseli”.
”Jashari, më duket se gjithçka është duke pranuar. Dhe pranimi i tij për marrje të përgjegjësisë për likuidimin e personave të tjerë të zyrtarëve shtetëror, sjell në kaos por edhe i vë në angazhim dhe policinë”, tha ai.
Veç tjerash avokati Tomë Gashi pohoi se çdo sulm që do të ndodhte ndaj krerëve shtetëror do të mund të eskalonte situatën.
Por, ai shtoi se ngjarjet aktuale të cilat po ndodhin në vend kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale, përfshirë dhe rastin e plagosjes së Azem Vllasit.