Kush është shefja e re e EULEX-it në Kosovë?

Diplomatja greke, Aleksandra Papadopulu, është zgjedhur shefe e re e Misionit EULEX në Kosovë. Njoftimi bëhet i ditur në faqen zyrtare të Këshillit Evropian. Ajo detyrën e re do ta marrë më 1 shtator të këtij viti dhe zëvendëson shefin e deritashëm Gabriele Meucci, i cili drejton EULEX-in që nga 15 tetori i viti 2014.

Me detyrë në Prishtinë ajo nuk është për herën e parë. Diplomatja greke, Aleksandra Papadopulu, nga viti 2000 deri në vitin 2001 ka qenë shefe e Zyrës ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë.

Aleksandra Papadopulu ka një karrierë të begatë diplomatike. Në CV-në e saj, të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës, bëhet e ditur se ajo është 59 vjeçare, se ka mbaruar studimet në fushën e Drejtësisë dhe Shkencave Politike në Universitetin e Athinës dhe se ka bërë studimet master në fushën e Marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Ndërkombëtar të Drejtësisë në Pennsylvania në Shtete e Bashkuara si bursiste e fondacionit Fulbrght.

Gjatë karrierës së saj diplomatike ka qenë ambasadore në shumë vende, së fundi në Bashkimin Evropian dhe më pas në Uruguaj dhe Paraguaj. Ajo ka qenë edhe ambasadore në Zyrën Diplomatike të Greqisë në Maqedoni.

Aleksandra Papadopulu njihet si eksperte e zhvillimeve politike në rajon dhe njohëse e shkëlqyer e historisë së Ballkanit, sidomos të raporteve greko-shqiptare. Këtë për RTK-në e konfirmon edhe historiani dhe publicist shqiptar Arben Llalla, i cili ka pasur rastin ta njihte zonjën Papadopulu personalisht, ndërsa e vlerëson mjaft lart personalitetin e saj:

“Ajo është diplomate karriere dhe nuk është e njëanshme, por është profesioniste në punën e saj. Besoj që do ketë një sjellje shumë korrekte ndaj opinionit në Kosovë dhe zhvillimeve politike në Kosovë”.

Zoti Llalla tregon edhe mënyrën se si e kishte njohur diplomaten greke, Aleksandra Papadopulu, tani e emëruar nga BE-ja, shefe e EULEX-it:

“Unë e kam njohur në vitin 2008 në një mbrëmje kokteji në Shkup kur ishte shefe e Zyrës Diplomatike të Greqisë në Maqedoni. Unë i tregova nga mbiemri dhe fshati ku kishte lindur në Greqi se ishte Arvanitase me origjinë dhe ajo e pranoi këtë fakt. Pas disa ditësh me anën e një diplomati shqiptar i dhurova dy librat që i kisha me nënshkrimin e studiuesit të njohur, tashmë i ndjerë, Aristidh Kola: “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve” si dhe librin “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviqit”. Ishin dy libra në gjuhën greke që njihen në Greqi. Ajo pasi ka lexuar këto dy libra, kemi kontaktuar përsëri dhe pashë që kishte një qëndrim të drejtë rreth lidhjes së gjuhës dhe gjakut të arvanitasve me shqiptarë”.

Ndryshe, misioni EULEX në krye të së cilit është vënë diplomatja greke, Aleksandra Papadopulu, ndihmon autoritet dhe institucionet e Kosovës në fushën e forcimit të ligjit në vend, në mënyrë specifike në polici, drejtësi dhe dogana. Euleksi vepron në Kosovë që nga viti 2008 dhe ka mandat qëndrimi në Kosovë deri më 14 qershor të vitit 2018. RTK

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme