Kush ishte Art Kurti – aktori dhe aktivisti nga Gjakova që u nda nga jeta në moshë të hershme

I lindur më 28 dhjetor të vitit 1995 në Gjakovë, aktori i njohur Art Kurti do të bëhej një emër mjaft i njohur në fushën e artit

Në vitin 2017 ai u paraqit në hit serialin vendor, “O Sa Mirë”, ku luante rolin e një studenti nga Gjakova.

Aktori Art Kurti ishte i njohur për publikun si aktori gjakovar që luajti rolin e ‘Ylberit’ në “O Sa Mirë”

Art Kurti u gjet i vdekur më 24 prill të vitit 2018, në veturën e tij në fshatin Goden, në rrethana të dyshimta.

Ai ka filluar të merret qysh herët me aktrim, teksa debutimin e pati në “O Sa Mirë”, me rolin e një personi me emrin Ylber Ramabaja.

Ai iu bashkua serialit në episodin e 100-të, ndërsa me rolin e tij karizmatik kishte transmetuar shumë buzëqeshje tek shikuesit e serialit, buzëqeshje kjo e cila fundit do ta kishte në datën 24 prill, ku të gjithë artdashësit do të zgjoheshin me një lajm gri, për humbjen e aktorin të njohur.

Me rolin e ‘Ylberit’ në “O Sa Mirë”, Arti ishte bërë pjesë e shumë skenave interesante. Njëra ndër to, është ajo në episodin 101, ku i ftuar ishte kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili i kishte drejtuar atij një pyetje, se ku është hapur shkolla e parë shqipe? Dhe ai, me dashurinë e tij të madhe për vendlindjen, përgjigjet duke thënë “në Gjakovë”, ndërsa numërohet si një përgjigje e pasaktë.

Kryeparlamentari Veseli, sot përmes një postimi të bërë në rrjetet sociale, shprehi ngushëllime për aktorin e ndjerë, duke ndjerë keqardhje opër ndarjen e tij të parakohshme nga jeta.
“Si një mysafir i “O Sa Mirë”, kam kaluar momente të jashtëzakonshme me të gjithë aktorët, me stafin e serialit, përfshirë Art Kurtin, i cili sot paska ndërruar jetë. Një lajm ky tejet pikëllues. Ngushëllime familjarëve, kolegëve nga komuniteti i artistëve dhe gjithë miqve të tij”, shkruante Kadri Veseli në Facebook.

Skenat e tij qesharake vazhdojnë edhe në episodin 103-të, episod ky në të cilin ‘Ylberi’ emërohet drejtor banaku nga profesori i tij bashkëvendës në serial, ‘Arbnori’, rol ky i cili luhej nga Edi Kastrati, drejtor i teatrit në Gjakovë.

Në episodin e 105-të të serialit, Arti ishte gjithashtu prezent, ku në një nga skenat ai do të prezantonte të bëmat dhe historinë e qytetit të tij shumë të dashur, Gjakovës, duke e shquar si një ndër qytetet më të mira shqiptare.

Performanca e tij do të ishte e veçantë edhe në episodin e 107-të, pjesë në të cilën do të lavdërohej po prapë nga profesori i tij.

Ai pati edhe një “konflikt” të vogël me ‘Citin’, personazhin më problematik të serialit “O Sa Mirë”.

Në episodin e 112-të, ai do të bëhej bashkë me ‘Bambin’ për t’i shpallur sfidë ‘Citit’ për ta rrahur, por që më pas do ta tradhtonte ‘Bambin’ duke e lënë të vetëm para tij. Mundet që në serial t’i ketë ngelur hatri, mirëpo me siguri që ‘Bambi’ nuk do të donte asgjë më shumë se përsëritjen e kësaj skena kaq qesharake.

Art Kurti vendosi që të mos jetë pjesë e sezonit të ri të “O Sa Mirë”, duke hedhur kandidaturën e tij kështu në tetor për asambleist në zgjedhjet lokale 2017.

Arti do të garonte nga radhët e Alaeancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ndërkohë, disa muaj më vonë, ai do të zgjidhej nga i pari i kësaj komune, Ardian Gjini, si këshilltar i forumit për rini në komunën e Gjakovës.

Art Kurti ishte emëruar si këshilltar i forumit për rini në komunën e Gjakovës, nga i pari i kësaj komune, Ardian Gjini (Foto: Art Kurti/Facebook)

Nga kjo eksperiencë, ai do të angazhohej në aktivitete të shumta, shumicën prej të cilave do t’i ndante me ndjekësit e tij në rrjetet sociale.

NGUSHËLLIMET E YJEVE PËR HUMBJEN E KOLEGUT TË TYRE ARTIST

Humbja para kohe e aktorit 23-vjeçar la të pikëlluar shumë prej yjeve të njohur në vend.
Bashkë-yjet e serialit në të cilin luante, shprehën ngushëllimet e tyre përmes rrjteve sociale.
Edi Kastrati, duke qenë ndër aktorët më të afërt me të, publikoi një fotografi në Facebook, në mbishkrimin e së cilës shkruante se do ta ndjejë mungesën e tij.

“Art,lajmin qe e mora sot nuk kisha dashur ta marr asnjëher në jetë, nuk kam fjalë nuk kam text nuk kam zemer të shkruaj per ty… Pusho i qetë Art, të kujtoj gjithmonë i buzëqedhur dhe me plot jetë,me ambicje e ide të llojllojshme,pusho i qetë Art”, shkruan Edi Kastrati në Facebook.
Ndërkohë, aktorja Adriana Matoshi, e njohur për rolin e ‘Sasës’ në “O Sa Mirë”, zgjodhi të publikojë një fotografi në InstaStory.

“Herët na la arti”, shkruajti Matoshi.

Edhe aktori Kushtrim Qerimi, i njohur për solin e llapjanit, publikoi një fotografi ku shfaqej bashkë me artin në Facebook, ndërsa në mbishkrimin e saj shkruante: “Prehu në paqe Art, vdekja jote e hershme m’ka prek shume. RIP”.

Neshat Krasniqi, i njohur për publikun si ‘Bambi’, vendosi të ndajë me ndjekësit një fotografi ku shfaqej pranë Artit.

“Ngushëllimet me te sinqerta per familjen Kurti , inshaAllah ne xhenet , nuk do t’harrojme kurre” (sic.), ka shkruar ‘Bambi’.
Njëjtë ka vepruar edhe faqja zyrtare e “O Sa Mirë” në Facebook. Ata kanë kujtuar aktorin e ndjerë me një shkrim dedikuar atij, duke ndjerë keqardhjen për ndarjen e tij të parakohshme nga jeta.
“Dhimbje të tmerrshme dhe pikëllim të pakufishëm na dha sot lajmi për vdekjen e Art Kurtit, kolegut fantastik që kishim në Serialin “O Sa Mirë”. Tepër i ri për të shkuar. Do ta kujtojmë gjithmonë mirësinë e tij, talentin e tij, të qeshurën e tij. Ngushëllime familjarëve, artistëve dhe miqve!” (sic.), shkruhet në faqen zyrtare të “O Sa Mirë”.

NDARJA NGA JETA

Mëngjesi i së martës do të ishe i hidhur për familjen Kurti dhe fansat e aktorit, kjo ngase ata do të zgjoheshin me lajmin se më i dashuri i tyre, Arti, nuk jeton më.
Ai gjendet i vdekur në rrethana të dyshimta në veturën e tij, teksa për rastin në fjalë do të raportonte edhe Policia e Kosovës.

“Më datë 24.04.2018 në ora 07:50 stacioni policor Gjakovë është njoftuar se në rrugën Gjakovë-Goden në vendin e quajtur Qafa e Zabelit gjendet një veturë me një person që dyshohej të jetë i vdekur. Patrullat policore me të gjitha njësitë menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë kuptuar se personi që ishte në automjet ishte pa shenja jete. Policia në bashkëpunim me prokurorinë Themelore në Gjakovë po hetojnë rastin ‘Hetim i vdekjes’”, thuhet në njoftim. “Policia ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti. Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë zjarri – pistoletë me të cilën dyshohet që është kryer vepra. Trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi dhe presim konstatimet e të gjitha provave në vendin e ngjarjes”, thuhej në njoftimin e policisë.

Familjarët, kolegët e fansa të shumtë do ta kenë të përjetshëm kujtimin e të riut të talentuar, misioni jetësor i të cilit do të mbetej i papërfunduar.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme