Paramilitarë serbë
Në luftërat e përgjaksshme në ish-Jugosllavi, hise të madhe në luftime kishin edhe njësitet paraushtarake. E historianja kroate, Iva Vukushiq, që ligjëron në Universitetin e Utrechtit në Holandë, ua ka dedikuar këtyre formacioneve punimin e saj të doktoraturës, i cili në formë libri do të botohet në vjeshtë nga shtëpia e njohur botuese britanike “Routledge”
Libri vlerësohet të jetë i pari që sjell analizë gjithëpërfshirëse për lindjen, natyrën dhe veprimtarinë e njësiteve paramilitare serbe. Ndërsa studiuesja ka përdorur material nga arkivi i Tribunalit të Hagës prej ku kishte raportuar si gazetare dhe nga Prokuroria Speciale për krimet e luftës e Bosnjës dhe Hercegovinës, ku kishte punuar për 3 vjet.
Disa detaje nga libri i ka shpalosur në një intervistë për portalin kroat, Index.hr.
Çka janë formacionet paraushtarake, çka ështe paraushtria? A ekziston ndonjë përkufizim unik?
Librin e filloj pikërisht me diskutimin për këtë temë. Duhet të dihet se nuk ekziston një koncenzus se çfarë do të thotë fjala “paraushtri”. Arsye për këtë është se njerëzit që i studiojnë paraushtritë e ndryshme punojnë në rrethana të ndryshme, që nga Kolumbia, nëpër ish-Jugosllavi deri në Ukrainë, Siri, Libi, etj. Në të gjitha këto vende të ndryshme, janë rrethanat e ndryshme sociale ato që nxisin, thënë kushtimisht, lindjen ose krijimin e njësiteve të parregullta të llojeve të ndryshme.
UNë paraushtritë e kam përkufizuar për rastin tim, andaj më duhet të theksoj se ky përkufizim nuk mund të zbatohet, për shembull, në Libi. PAraushtritë i përkufizojë si grupe njerëzish që janë të armatosur, të organizuar – ekziston njëfarë hierarkie, structure – që bë momentin e krijimit nuk kanë qenë pjesë strukturave të rregullta ushtarake apo policore. Karakteristikë e rëndësishme është edhe se janë të njohur për të tjerët, qoftë nëpërmjet emrit, apo ndonjë simboli, si edhe kanë njëfarë lloji të motivimit politik, që është i domosdoshëm sepse me diçka të tillë dallojnë nga diçka që do ta quanim organizatë kriminale. Këto janë elementet që i konsideroj të rëndësishme për përkufizimin e paraushtrisë .
Cilat janë njësitet kryesore paraushtarake serbe që kanë vepruar në Kroaci në fillimin e viteve të 90-ta?
Për ish-Jugosllavinë ka mjaftë literaturë të shkruar, por në atë të gjitha paraushtritë trajtohen bashkë. Në librin tim e theksoj se midis tyre ka shumë dallime të rëndësishme. i kemi njësitët e profesionalizuara, që janë ato të cilat me të drejtë janë cilësuar si të lidhura me regjimin e Millosheviqit dhe me MUP- in dhe Sigurimin Shtetëror (DB), si dhe lloji i dytë, ato të joprofesionalizuara. Shembull i mirë këtij llojit të dytë janë “Sheshelët”.
Idetë e para për formimin e njësiteve paraushtarake u shfaqën qysh në vitin 1990, ndërsa hapat e parë të rëndësishëm në kuptimin e organizimit u panë në pranverën e vitit 1991. Fillet lidhen me DB-në dhe pjesët e aparatit shterëror i cili edhe ashtu punon në hije dhe që ka lidhje me krimin e organizuar. Këto lidhje mobilizohen për t’u mbledhur njerëzit të cilët mund ta fuqizojnë detyrën e ndryshimit të kufijve, por që nuk janë drejtpërdrejt të lidhur me regjimin e Millosheviqit. Në të vërtetë, APJ nuk është rreshtuar menjëherë njëzëshëm në krah të planit të Millosheviqit. Në radhët e saj kishte plotë njerëz të cilët iu bashkuan këtij projekti pa ndonjë entuziazëm. Kësisoj, Millosheviqit i nevojitej një forcë e armatosur në të cilën do të mund të llogariste dhe ta drejtonte përjashta kanaleve zyrtare. i gjithë ky rrëfim me paraushtritë serbe mori formë tek më 1992.
Si ndodhi që këta njerëz u bënë pjesë të paraushtrive?
Plotë kësi njerëzish vijnë nga klubet sportive dhe qarqet e tilla shoqërore, nga vendet ku mblidhen të rinjtë për të cilët ndonjë lloje dhune nuk është i panjohur. Shumëkush ka dëgjuar për lidhjet e Arkanit me tifozët “Delijet”. Pra, këta janë djelmosha që janë të shëndetshëm, të kuruar, të cilët i shpërlanë nacionalizimi, gjë që është edhe pasojë e propagandës dhe gjithë asaj çmendurie në të cilën kemi jetuar atëbotë. Një pjesë e tyre megjithatë vjen nëpërmjet DB-së, ose janë të punësuar aty ose kanë lidhje me të. Ka aty edhe njerëz nga rrethe të krimit të organizuar. Plotë njerëz vijnë në paraushtru nëpërmjet lidhjeve ekzistuese shoqërore, duke iu bashkuar këtyre njësiteve meqë e kanë vëllanë në to, ndonjë shok nga lagja apo shkolla. Një hise të madhe në këtë rast e ka edhe një concept i caktuar i burrërisë, mbrojtjes së familjes dhe popullit.
Paraushtritë serbe kanë kryer një sërë krimesh. Si erdhi deri te to? A është nënkuptuar paraprakisht se do të kryenin krime, apo gjëra do të përshkallëzoheshin në terren?
Edhe njëra, edhe tjetra. Këta të gjithë kanë qenë vullnetarë, por jo të gjithë pjesëtarët e paraushtrive kanë qenë kriminelë, përdhunues dhe vrasës. NJë pjesë e madhe e krimeve në luftrat e viteve të 1990-ta i kanë kryer njësitet e rregullta ushtarake dhe policore. Srebrenica ëstë shembulli tipik, meqë atë krim e organizuan oficerët e Ushtrisë së Republikës Serbe të cilët janë me siguri dhe me punë inteligjence. Paraushtritë, në këtë rast mendoj në Shkorpionët famkeqë, janë përfshirë gjithsesi, por pjesën më të madhe të krimeve të krimeve i kanë bërë pjesëtarët e ushtrisë së rregullt.
Në formacionet paraushtarake gjithmonë ka pasur njerëz që iu janë bashkangjitur me qëllimin e kryerjes së krimeve. Disa të tjerë, i tërheqë atmosfera. Duhet ta marrim me mend situatën kur dikush ëstë pjesë e njësitit paraushtarak. Aty zotëron një varësi e madhe ndaj bashkëluftëtarëve. Nëse ata nisen për ndonjë detyrë, ndërsa ti nuk dëshiron të veprosh njëjtë, menjëherë fillon presioni. Të thërrasin zuskë, homoseksual, etj. Refuzimi i bashkëveprimit në krime përcillet me pasoja tek rrethi i refuzuesit. Ka pasur megjithatë njerëz që nuk kanë dashur të marrin pjesë në krime. Shembull i tillë është Goran Stopariq, cili ka dëshmuar disa herë në Hagë. Ai ishte pjesë e “Shkorpionëve” dhe kishte kuptuar se në cilin drejtim po shkonin gjërat, andaj kishte vendosur të largohej.
Tashmë e përmendët, Zheljo Razhnatoviqin – Arkanin. Nuk ka paraushtarak më të njohur dhe më famkeq nga vitet e 1990-ta se ai. A është rrëfimi për të mit, apo ai vërtetë kishte fuqi të madhe politike? Apo e tëra ishte një shfaqje për medie?
Për Arkanin ekzistojnë mite, për shkak se rrëfimi i tij është tokë pjellore për rritjen e miteve. Arkani fillimisht ishte një sipërmarrës i suksesshëm, i tillë cfarë në gjuhën angleze quhet ‘enterpreneur’. Por, ai ishte një kriminel i imtë, që kishte grabitur nëpër Evropë, andaj në vitet e 1980-ta e kishte angazhuar UDBA Jugosllave për të kryer punë të ndryshme të ndyta.
Më pas e kishte angazhuar DB-ja për ta marrë kontrollin mbi tifozët e Crvena Zvezdës, Delijet. Qëllimi ishte që ata të angazhohen në shërbim të regjimit të Millosheviq, e jo opozitës, për shembull, Vuk Drashkoviqit, i cili atëbotë shfaqej mbi platformën nacionaliste. Arkani ishte pjesë e aparatit të DB-s. Nuk ka qenë një sjellës i rëndësishëm vendimeve, por ishte zbatues i rëndësishëm i vendimeve, gjë që shpaguhej mirë gjate viteve të 1990-ta. Merrej me gjëra të ndryshme, kontrabandonte drurë, verë, grabiste, etj. Në fundin e viteve të 1990-ta, ai ishe më simpatiku i krimit të organizuar në Serbi, por edhe në gjithë rajonin.
Arkani ishte arrestuar në Kroaci. Çfarë kishte ndodhur?
Ishte arrestuar në qytezën Dvor. Ndodhi kah fundi i vitit 1990, kur u arrestua në makinën me plotë armë që po i bartte në drejtimin e Kninit. Ishte për një kohë në Remetinc, dhe më pas u lirua. Ka shumë spekulime lidhur me këtë rast. Përmendet dhe një lloj këmbimi i armëve, mirëpo nuk guxoj të hamendësojë më shumë, sepse nuk kam mjaftë informacione se kush vendosi që ai të lirohet.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, po ndodhte konsolidimi i njësiteve paraushtarake. Çfarë do të thoshte kjo?