Deputetja e Dibrës, Reme Lala dhe dy deputetët e Elbasanit, Elena Xhina dhe Dritan Bici nuk ishin dje bashkë me anëtarësinë e PDIU-së ku u vendos mandatimi i kryetarit Shpëtim Idrizi për të nisur negociatat për koalicionin e ri me partitë e opozitës.
Ndërkohë, që dje, tre deputetët, Reme Lala, Elena Xhina dhe Dritan Bici iu bashkuan deputetëve të Partisë Socialiste në punimet e Kuvendit. Deputetët e PDIU-së disa herë kanë deklaruar se do t’i bashkohen Partisë Socialiste.
Deputetja e Dibrës Reme Lala këtë qëndrim e deklaroi publikisht në muajin qershor, teksa tha se do të bashkohej me më të mirët dhe ata janë në Partinë Socialiste.
“Në këtë vit të parë për mua si deputete kam mundur të kuptoj se nuk janë të gjithë njësoj siç duken nga televizori. As unë nuk jam më e mira, por më të mira kam parë disa në partinë tuaj. Sot në sy të dibranëve dhe tuajin po ju them se dua të bashkohem me më të mirat dhe më të mirën, Partinë Socialiste, që nuk është më e mira, por më të mirë vërtet nuk kemi parë. Mendoj se ju duhet të premtoni sot të paktën edhe rrugën Maqellarë-Peshkopi. Kështu, dibranët e Peshkopisë dhe më lart do të shijojnë tamam Rrugën e Arbrit”, ka thënë Lala. Deputetja e Dibrës tha se qëndrimin për t’iu bashkuar PS-së do e përkrahin dhe dy deputetët, Elena Xhina dhe Dritan Bici.