Kush po i çon shqiptarët e Maqedonisë drejtë vëllavrasjes?!

Koment: Xhevdet Pozhari, kryeredaktor i Sakte.net

Në Maqedoni ndodhin gjëra nga më të çuditshmet dhe nga më të pashpjegueshmet kur bëhet fjalë për shqiptarët. Kështu për shembull mediat raportojnë se i dyshuari për vrasjen e Komandant Shqiponjës nga Kumanova e ka lënë qelinë dhe është dërguar në burg shtëpiak, pikërisht në të njëjtën ditë që shënohej përvjetori i vrasjes së këtij heroi! Po ashtu, thuajse janë bërë të zakonshme raportimet mediatike për torturat që u bëhen të akuzuarave për rastin e Kumanovës, ndërsa së fundmi, temë kryesore është edhe deklarata e policit maqedonas në gjykatë se Mirsad Ndrecaj është arrestuar, që ngrit dyshimet se është ekzekutuar pas dorëzimit.

Shkurt, që moti në Maqedoni jo vetëm që nuk ndëshkohej, por thuajse vetëm sa nuk shpërblehej ai shqiptar që shan, përbuzë dhe ofendon një shqiptar tjetër, apo kundërshtarin politik të partisë shqiptare në pushtet, BDI – së. Kështu që kundërshtarët e kësaj partie janë thuajse të pambrojtur nga ligji madje edhe në rastet kur ndaj tyre zhvillohet fushatë e egër, që nuk i kursen as familjet e tyre. Dhe kjo ndodh për shkak të drejtësisë selektive në këtë shtet ku ligji nuk vlen për ata që shpifin në emër të partisë, në një shtet ku sipas raportimeve të medieve, edhe gjykatësit shqiptarë nuk emërohen në bazë të aftësive, por të afërsisë dhe devotshmërisë ndaj partive të regjimit DPMNE-BDI.

Në këto rrethana, situata në Maqedoni vijon të përkeqësohet. Kjo ngaqë shqiptarët e Maqedonisë, të gjendur para një situate të tillë, janë futur në tunelin e errët që i çon drejt vëllavrasjes dhe marrjes së drejtësisë në duart e veta. Në Maqedoni pra bëhet gjithnjë e më e dukshme se shqiptari që e dëmton armikun politik të BDI-së është thuajse “vlerë kombëtare” e maqedonasve, e të tillët duhet mbrojtur edhe nga ligji.

Pra, në këto rrethana, ke përshtypjen se në Maqedoni, edhe vrasësi shqiptar që e vret një shqiptar tjetër nuk duhet të ndjehet i pambrojtur, veçanërisht kur është partizan i partisë në pushtet. Andaj, edhe mund të thuhet se mbase shqiptarëve të Maqedonisë dikush është duke ua përgatitur dënimin më të tmerrshëm kolektiv – vëllavrasjen. /Sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme