Gjykata Kushtetuese sot mban seancë ku krahas shqyrtimit të disa lëndëve, pritet të vendosë përfundimisht edhe për çështjen e Medresesë Isa Beu dhe çështjen e Kodit Zgjedhor sa i përket listave të pavarura.
Vendimi për Isa Beun do të merret pasi më 26 shkurt u hap procedurë në bazë të një iniciative që kontestonte vendimin e Qeverisë me të cilin medreseja u shndërrua në gjimnaz privat, me qëllim që të tejkalohet problemi i nxënësve që mbaronin e medresenë e nuk mundeshin të regjistroheshin nëpër fakultete.
Megjithatë, iniciativa këtë e vlerësonte si antikushtetuese pasi që shkelet sekulariteti i shtetit. Respektivisht, themelues i Medresesë është Bashkësia Fetare Islame, ndërsa sipas parashtruesit, bashkësitë fetare nuk kanë të drejtë të themelojnë shkolla civile, por vetëm fetare.
Njëkohësisht, në kushtetuese pritet të merret vendim edhe për iniciativën e ish deputetes Liljana Popovska, por edhe një grupi të qytetarëve të cilët kontestojnë ndryshimet e Kodit Zgjedhor, të cilat kanë rritur në mënyrë dramatike pragu i nënshkrimeve të nevojshme për dorëzimin e listave të pavarura në zgjedhje, respektivisht 1% prej trupit votues.
Me këtë, kandidatët e pavarur vihen në pozitë diskriminuese në raport me partitë të cilat garojnë në zgjedhje, ndërsa janë të regjistruara me vetëm 1.000 votues. Kjo, ndihmon që kandidatët e pavarur të eliminohen nga gara, në dobi të partive./ Alsat.mk