Në gjithë botën, serverët e të dhënave sa shkojnë e shtohen, duke shpenzuar energji elektrike dhe burime tjera, për ta jetësuar botën digjitale.
Më shumëse 8.000 qendra të të dhënave në planet janë themeli i ekzistencës së botës online, dhe qendrat do të vazhdojnë të rriten me avancim të inteligjencës artificiale (IA).
Madje, vlerësohet që deri më 2025, industria e teknologjisë informative do ta shfrytëzojë 20 për qind të të gjithë rrymës së prodhuar, dhe do të jetë përgjegjëse për 5.5 për qind të emetimeve të karbonit në botë.
Parashikime të tilla nxisin pyetje reale – ose edhe urgjente – për gjurmët e karbonit të teknologjisë informative.
“Kutia e Pandorës është e hapur”, ka thënë Arun Iyengar, sipërmarrës i Untether AI, kompani e specializuar për prodhim të çipave, e cila synon ta bëjë inteligjencën artificiale më efiçente.
“Ne mund ta përdorim IA në mënyra që rrisin diskutimet për klimën, ose mund t’i injorojmë kërkesat për klimë dhe të përballemi me pasojat pas një dekade”.
Transformimi i serverëve të të dhënave në botë, me përfshirje më të madhe të inteligjencës artificiale, veçse është duke ndodhur.
Mirëpo shkalla e ndryshimit është tepër e madhe.
Krijimi i produkteve me inteligjencë artificiale sikurse GPT-4, që e funksionalizon ChatGPT, ndahet në dy faza kyçe: në trajnim aktual dhe ekzekutim.
Më 2019, hulumtuesit e Universitetit Masaçusets i kanë trajnuar disa modele gjuhësore dhe kanë thënë se trajnimi i një modeli të vetëm të inteligjencës artificiale mund të emitojë karbon në sasi të njëjtë sa pesë makina gjatë gjithë kohës së përdorimit të tyre.
Një studim tjetër i kryer së fundi nga Google dhe Universiteti i Kalifornias, ka gjetur se trajnimi i GPT-3, ka rezultuar me 552 tonë të emetimeve të karbonit, e barasvlershme me vozitje të një makine për 2 milionë kilometra.
Gjenerata e fundit e aplikacionit të kompanisë OpenAI, GPT-4, është trajnuar edhe në 570 parametra shtesë, në krahasim me modelin paraprak, dhe shkalla e testimeve do të rritet, teksa inteligjenca artificiale bëhet më e fuqishme.
Nvidia, gjiganti teknologjik i çipave të IA-së, ofron procesorë të domosdoshëm për trajnime, të njohur si GPU.
Ndonëse ata janë më efiçentë në energji sesa çipat tipikë, ata mbesin harxhues të jashtëzakonshëm të rrymës.
“Problemi” ChatGPT
Faza e dytë e funksionalizimit të inteligjencës artificiale është ekzekutimi: kur një model i trajnuar identifikon objekte, u përgjigjet pyetjeve për lexim, shkrim tekstesh dhe çfarëdo kërkese tjetër.
Në këtë fazë nuk është e domosdoshme vendosja e një çipi të Nvidias, mirëpo marrë parasysh ndërveprimet e pafundme në botën reale, energjia e harxhuar në këtë fazë as nuk mund të krahasohet me peshën e punës kur softueri del në treg.
“Ekzekutimi do të bëhet problematik tani me ChatGPT, të cilin mund ta integrojë secili në jetën e përditshme përmes aplikacioneve apo kërkimeve nëpër uebfaqe”, ka thënë Lynn Kaack, profesoreshë për shkenca kompjuterike në Shkollën Hertie në Berlin.
Megjithatë, kompanitë më të mëdha të kësaj fushe deklarojnë vazhdimisht se janë të përkushtuara për efiçencë të energjisë.
Shërbimet e Amazonit janë zotuar se do të jenë neutrale ndaj karbonit deri më 2040, ndërsa Microsoft e ka bërë zotimin për emetime zero të karbonit deri më 2030.
Këto deklarata, por edhe të dhënat e vjetëve të fundit nga ky sektor, japin hapësirë për relaksim.
Në periudhën 2010 – 2018, energjia e shfrytëzuar nga qendrat globale të të dhënave është rritur për 6 për qind, në krahasim me rritjen prej 550 për qind të sasisë së punës në këtë sektor, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
“Këndvështrime të “prapambetura”
Mirëpo, manjatët e laboratorit për zhvillime teknologjike në Shtetet e Bashkuara, Sillicon Valley, besojnë se diskutimet për energjinë që shfrytëzon inteligjenca artificiale, ia ulin rëndësinë potencialit revolucionar të inteligjencës artificiale.
Shefi i Nvidias, Jensen Huang, ka thënë se këto diskutime janë të prapambetura, pasi, sipas tij, përfshira e madhe e inteligjencës artificiale nëpër pajisje, do ta shmangë nevojën e qendrave aq të mëdha të të dhënave.
Kjo nënkupton që inteligjenca artificiale do ta shndërrojë laptopin, makinën, apo pajisjen tuaj teknologjike në superkompjuter efiçent, pa i ngarkuar shumë qendrat e serverëve.
“Në të ardhmen, do të ekzistojë një model i vogël që gjendet në telefonin tuaj dhe që 90 për qind të pikselëve do të gjenerohen dhe 10 për qind do të sigurohen nga qendrat e të dhënave, në krahasim me 100 për qind sa ngarkohen qendrat tani, prandaj edhe do të kursehet energjia”, ka thënë Huang.
Sam Altman nga OpenAI beson se inteligjenca artificiale do t’ia ndërtojë shumë shpejt njerëzimit në të ardhme plotësisht të re.
“Mendoj që sapo ta kemi inteligjencë tepër të fuqishme, adresimi i ndryshimeve klimatike nuk do të jetë problem i madh”, ka thënë Altman.
“Kjo na tregon sa shumë duhet të ëndërrojmë, të mendojmë për një sistem, të cilit mund t’i themi ‘më tregoni si të prodhoj energji me kosto të vogël, si ta zvogëloj emetimin e karbonit, dhe si ta ndërtoj një fabrikë që e bën këtë gjë në nivel global”.
Mirëpo disa ekspertë janë të shqetësuar se vëmendja e madhe në zhvillim të inteligjencë artificiale, i ka lënë në hije gjërat tjera.
“Korporata të mëdha janë duke shpenzuar shumë para duke zhvilluar IA. Nuk mendoj se janë duke menduar për ndikimin në natyrë. Megjithatë, ajo ditë po vjen”, ka thënë Iyengar nga Untether. /REL