Kuvend, ndryshime ligjore për përdorimin e mjeteve piroteknike në hapësira të mbyllura

Ndalesa për përdorimin e mjeteve piroteknike në hapësirë të mbyllur dhe rritje e gjobave për persona fizikë dhe juridikë propozohet në ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për kundërvajtjet kundër rendit dhe qetësisë publike i cili është në rend dite në mbledhjen e sotme të 42-të të Kuvendit.

Zgjidhja ligjore propozohet nga disa deputetë të VMRO-DPMNE-së pas tragjedisë në Koçan në të cilën më 16 mars në zjarrin në diskotekën “Pulse” jetën e humbën 59 persona ndërsa ishin lënduar më shumë se 190.

Në sqarimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit, i cili propozohet të miratohet me procedurë të shkurtër, deputetët bëjnë të ditur se qëllimi është që të bëhet ndryshim në Ligjin për kundërvajtjet kundër rendit dhe qetësisë publike si rezultat i tragjedisë në klubin e natës në Koçan që shkaktoi pasoja serioze për jetën e një numri të madh të qytetarëve. Duke i pasur parasysh angazhimet e të gjitha strukturave relevante në shtet për parandalim të mëtutjeshëm të rreziqeve nga keqpërdorimi i paautorizuar i materieve shpërthyese – mjete piroteknike në hapësira të mbyllura, propozohet ndryshim i rregullores ligjore në drejtim të ndalesës së përdorimit të materieve shpërthyese – mjete piroteknike në hapësirë të mbyllur.

“Konkretisht, ligji i propozuar përcakton se nuk lejohet përdorimi i mjeteve piroteknike të përcaktuara me ligj në objekte dhe hapësira të mbyllura, si dhe parashikon gjoba për kundërvajtje për personat fizikë dhe juridikë që veprojnë në kundërshtim me ndalimin. Duke pasur parasysh se ligji i ri për lëndët shpërthyese për përdorim civil është në proces hartimi nga ministria kompetente, propozimi specifik bën një ndryshim të përkohshëm në Ligjin për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike, në pritje të miratimit të zgjidhjeve të reja ligjore që do të rregullojnë në detaje të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me lëndët shpërthyese për përdorim civil, në të cilat janë përfshirë edhe mjetet piroteknike”, bëhet e ditur në sqarimin e ndryshimeve.

Propozohet rritje e gjobave edhe atë për person fizik i cili do ta shkelë ligjin të jenë në vlerë prej 200 deri 250 euro, përderisa për persona juridikë të jenë prej 500 deri 1.000 euro në kundërvlerë denari – për tregtarë mikro, prej 1.000 deri 2.000 euro në kundërvlerë denari – për tregtarë të vegjël, prej 3.000 deri 6.000 euro në kundërvlerë denari – për tregtarë të mesëm dhe prej 5.000 deri 10.000 euro në kundërvlerë denari – për tregtarë të mëdhenj dhe për personin përgjegjës në personin juridik prej 250 deri 500 euro në kundërvlerë denari.

Deputetët vlerësojnë se me miratimin e zgjidhjeve të propozuara do të mundësohet sanksionimi i kryerësve të cilët përdorin mjete piroteknike në hapësira të llojit të mbyllur dhe do të kontribuojë në rritjen e sigurisë së qytetarëve, si dhe parandalim nga rreziqet të cilat shkaktohen me përdorimin e mjeteve piroteknike.
Në rend dite të mbledhjes së 42-të të Kuvendit janë propozuar edhe zgjidhje të tjera ligjore.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme