Kuvendi i Kosovës ka dalë me njoftim lidhur me punimet e seancës së sotme, e 13’ta me radhë për konstituim të Kuvendit.
Aty theksohet se seanca u ndërpre meqë nuk pati vota për Komisionin, për ta bërë votimin e fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
Vazhdimi i seancës së radhës do të bëhet të dielën, në orën 10:00.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh sot në vazhdimin e radhës të seancës konstituive. Nën drejtimin e deputetit Avni Dehari, seanca serish nuk pati kuorum në procedurën e votimit për përbërjen e komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë. Kryesuesi Dehari ftoi subjektet politike parlamentare PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma që të propozojnë nga një anëtar në komision. Në mungesë të propozimeve, kryesuesi Dehari hodhi në votim përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës. Pasi konstatoi se për kanë votuar 56 deputetë, një kundër, ndërsa nuk kishte asnjë abstenim, kryesuesi Dehari njoftoi për ndërprerjen e seancës dhe paralajmëroi vazhdimin e saj të dielën, më 11 maj, në orën 10:00”, thuhet në njoftim. /21Media