Kuvendi miratoi nevojën për riorganizimin e ministrive, votimi final pritet javën tjetër

Gazetar: Suad Bajrami

Me 74 vota për, Kuvendi sot e miratoi nevojën për ndryshimin e ligjit për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, me të cilin parashikohet që të bëhet riorganizimi i qeverisë, konkretisht të shtohen 4 ministri të reja dhe të shtohen apo hiqen kompetenca mes atyre ekzistuese.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili është edhe propozues i ligjit, kërkoi nga deputetët që ta mbështesin miratimin e këtij ligji pasi sipas tij, bëhet fjalë për racionalizim të institucioneve me mundësi të bashkimit ose ndarjes së institucioneve,

“Kërkoj mbështetjen nga të gjithë deputetët në emër të mbështetjes së madhe që e morëm në zgjedhje dhe në emër të reformave të cilat patjetër duhet t’i bëjmë. Koalicioni “Maqedonia jote”, është obliguar që të ndërmarrë aktivitete me qëllim që të rishqyrtohet dhe racionalizohet vendosja e organeve të administratës shtetërore, me mundësi të bashkimit apo shfuqizimit të disa organe të caktuara shtetërore”, deklaroi Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.

Nga LSDM-ja opozitare, u deklaruan kundër këtij propozim-ligjit pasi sipas tyre, është e patolerueshme që të miratohet ligj sistemor me procedurë të shkurtër.

“Vlerësojmë se nuk është e lejuar që ligji sistemor të miratohet me procedurë të shkurtër. Veçanërisht, ligj i cili rregullon rritjen e ministrive, agjencive e kështu me radhë. Nuk hyj në argumentet propozimi, legjitimetit e kështu me radhë, megjithatë, absolutisht këtu bëhet fjalë për një ligj të komplikuar dhe të madh, që është në kundërshtim me Rregulloren dhe për këtë ne do të votojmë për heqjen nga rendi i ditës”, tha Oliver Spasovski, LSDM.

Fronti Evropian, ndonëse nuk votoi as “për” e as “kundër” propozim-ligjit, Blerim Bexheti në foltore tha se duhet të mbahet llogari dialogu, gjatë procesit të miratimit.

“Edhe ky ligj nuk duhet të sillet në mënyrë të njëanshme, pasi që nga organizimi i organeve shtetërore do të kenë të mira apo mangësi qytetarët e këtij vendit, e të gjitha përkatësive etnike. Prandaj, me një proces të dialogimit, pasi që këto organe janë në shërbim të qytetarëve, te legjitimiteti të gjithë të jemi të kujdesshëm, në atë që thirremi në shërbime më efikase”, u shpreh Blerim Bexheti, BDI.

Nga ana tjetër, E Majta, e cila votoi kundër nevojës, para fillimit të seancës, deklaroi se ata miratimin e këtij ligji e kushtëzojnë me miratimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, konkretisht që vendi të bëhet nga 6, në 1 njësi zgjedhore.

“Mbështetja jonë për këtë riorganizim, do të lidhet me atë që ne kërkojmë, që VMRO-DPMNE dhe shumica, sot ta marrë mbështetjen tonë dhe 6 votat tona, dhe menjëherë të miratohen ndryshimet, me të cilën shteti do të bëhej me një njësi zgjedhore”, tha Amar Mecinoviq, E Majta.

Ndryshimet në ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore pritet të miratohen në seancën e Kuvendit në fillim të javës së ardhshme. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme