Njazi Thaçi, kushëriri i presidentit Hashim Thaçi, po synon që të bëhet drejtor i KEK-ut, në një garë ku rival do ta ketë shefin e kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, Blerand Stavilecin.
Por, kush është Njazi Thaçi?
Njazi Thaçi, tani ushtrues i detyrës së drejtorit të KEK-ut Njazi Thaçi, ishte i akuzuar për korrupsion brenda kësaj korporate, në dhënien e një tenderi milionësh.
Ai së bashkë me katër zyrtarë të tjerë të KEK-ut, akuzoheshin se i dhanë një tender që vlente miliona Euro dy kompanive (SOLAR&ORTEX URO GROUP dhe Beli COM) përkundër se e dinin se ato kanë paraqitur autorizime të falsifikuara dhe dokumente të tjera relevante të falsifikuara dhe se nuk i kanë plotësuar kriteret për tenderin e KEK-ut.
Por, Thaçi, në janar të vitit të shkuar ishte liruar nga akuzat nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Në të njëjtin rast, akuzoheshin edhe ish-zyrtari prokurimit në KEK, tash asamblist i PDK-së, Muhamet Selmani, ish- shefi i OSHP-së, Hysni Hoxha, zyrtari tjetër i prokurorimit Driton Pruthi, dhe Azem Duraku, ish-ekspert shqyrtues në OSHP.
Sipas aktakuzës që EULEX e kishte ngritur në vitin 2016, kompania “SOLAR&ORTEX URO GROUP” kishte ofertuar me dokumente të falsifikuara për një tender në KEK, në vitin 2011. Aty thuhej se e njëjta kompani ishte shpallur fituese e llotit të tretë të tenderit për furnizim me pjesë rezervë për makineri të rënda. Bazuar në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar në KRPP, vlera e përafërt e kontratës tre vjeçare ka qenë 750 mijë euro. Kurse, kompania “BELI Com”, në bazë të njoftimit të publikuar në KRPP, kishte ofertuar 360 mijë euro për furnizim me pjesë për një periudhë prej 3 vjetëve.
Thaçi akuzohej me tri pika të akuzës: veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike, shpërdorim të detyrës zyrtare dhe lidhje të kontratës së dëmshme.
Njazi Thaçi, në KEK për një periudhe ka qenë edhe drejtor operativ. Pastaj, ai ishte emëruar si ushtrues detyre i drejtorit të Korporatës Energjetike, pas dorëheqjes së Arben Gjukajt.
Thaçi, teksa ka folur për kandidaturën e tij ka thënë, se është personi më i kualifikuar që të jetë drejtor i Korportatës Energjetike të Kosovës. Ai ka shtuar se për këtë post, i ka të për të ardhmen e KEK-ut.
“Jam pjesë e menaxhmentit të KEK-ut që nga viti 2007, jam pjesëmarrës në vendimmarrje nga 2007 e deri më sot, që KEK-u ka arrit një performancë që e ka sot. Kam të mbaruar studimet në fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Fakultetin Politeknik të Tiranës, studime pesë vjeçare. I plotësojë të gjitha kriteret që janë dhënë në konkursin e shpallur publik dhe besoj që do të konkurroj. I kam të qarta të gjitha objektivat që KEK-u për të ardhmen. Mbetët përgjegjësi e Bordit të Drejtorëve të vendos se kush është më i miri”, ka thënë Thaçi.
Pas dorëheqjes së Arben Gjukajt, për herë të parë KEK-u ka shpallur konkurs për Drejtor Menaxhues në KEK më 5 prill, ndërsa është rishpallur më 1 qershor dhe për herë të tretë konkursi është hapur më 9 gusht, i cili mbetet i hapur deri më 10 shtator, dhe kandidatë do të jetë dy persona: Njazi Thai dhe Blerand Stavileci.