Një mur në Kuçovë ka futur në përplasje dy familje, ndërkohë që verifikohet se ai ndodhet në pronë shtetërore. Megjithatë, institucionet vendore prej vitesh mbajnë qëndrim indiferent, ndërsa Shefqet Liko dhe Gentian Agalliu vijojnë konfliktin mes tyre.
Gazetarja e “Tak Fak”, Anxhela Gjiriti, pas intervistave me palët, e çoi më tej investigimin pranë bashkisë së Kuçovës.
Altin Dautaj, drejtori i IKMT-së në bashki, deklaroi se për ankesën e Shefqet Likos është kthyer një përgjigje zyrtare ku theksohet se pretendimi i tij për murin ndarës me banesën e Gentian Agalliut nuk është i drejtë.
Madje, Dautaj ka përdorur edhe gjuhë fyese ndaj Likos, duke e përshkruar si “mashtrues” dhe “person që ka bërë burg”.
“Unë po ju them se kjo ankesë e Shefqet Likos është trajtuar disa herë dhe i është kthyer përgjgjije. Muri ndarës ekziston prej 30 vitesh dhe ndan dy objekte. Është kufir ndarës i vjetër. Zotëria ka kërkuar hapësirë publike nga bashkia ndaj ankohet tani. Ky është mashtrues, ka bërë dhe burg për vjedhje. Për ankesën e tij, është bërë verifikimi me IKMT dhe kemi dalë në përfundim që pretendimi nuk është i drejtë”, deklaroi Dautaj.
Ndërkohë, Sokol Vasili nga zyra e urbanistikës në bashkinë e Kuçovës, u shpreh për gazetaren Gjiriti se ndërtimet e të dy komshinjve janë të hershme dhe ekzistojnë prej vitesh.
“Ne i kemi përcaktuar pusetat se ku duhet të lidhen, ja kemi përcaktuar me planvendosje ku janë kanalizimet. Mund të them që puseta më e afërt i është treguar zotërisë, por ai ka prishur kanalizimet që kanë qenë ekzistuese dhe tani thotë dua t’i lidh atje ku dua unë. Muri ka një disnivel shumë të lartë nga kanalizimet dhe nuk i pengon”, u shpreh Vasili.
Sa i takon pretendimit të Likos se muri ndarës nuk respekton distancën prej 5 metrash që duhet të ekzistojë mes dy banesave, Vasili theksoi se muri gjendet në një hapësirë publike, pa leje ndërtimi, por theksoi gjithashtu se ai nuk ka kompetencë për prishjen e tij.
“Me ligjin aktual, në pronat shtetërore është e pamundur të ndërtohen”, shtoi ai.
I pyetur nga “Tak Fak”, edhe kryetari i bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, u shpreh shkurtimisht se konflikti nuk është në dorën e tij:
“Konfliktet mes tyre nuk zgjidhen nga unë”, tha ai, duke shtuar se qytetari ka marrë përgjigje me shkresë zyrtare.
Pas insistimit të emisionit, bashkia iu drejtua me një kërkesë për informacion Agjencisë së Kadastrës në Berat. Në përgjigjen zyrtare të kthyer nga ky institucion, konfirmohet se muri i ndërtuar në pasurinë 7/611, në një sipërfaqe prej 135 metrash katrorë, rezulton pronë shtetërore.