Autor: Xhevdet Pozhari
Shqiptarët e Maqedonisë ndodhen para zgjedhjeve më interesante që nga periudha e konfliktit të vitit 2001. Ata për herë të parë me votën e tyre mund të vendosin për fatin e partive që i përfaqësuan dhe partive të reja që mëtojnë t’i përfaqësojnë.
Nuk ka mbetur edhe shumë kohë kur partitë shqiptare do t’i masin forcat e tyre reale politike. Gjatë kësaj periudhe publiku do të ketë rast të dëgjojë premtime nga më të ndryshmet, mirëpo asgjë nuk do të ketë mundësinë t’i mbulojë dështimet e partisë së Ali Ahmetit, e cila ka më së shumti arsye të frikësohet për rezultatin final të këtyre zgjedhjeve. Kjo për faktin se në cilindo variant është e pashmangshme rënia e kësaj partie, që tash e sa vite e merrte me forcë, dhunshëm dhe të kushtëzuar votën e shqiptarëve.
Në skenën politike janë shfaqur shumë forca të reja politike, kryesisht të dala nga partitë e vjetra që edhe e sollën popullin në këtë situatë të mjerë politike. Nga gjitha këto parti politike opozitare me shpresëdhënëse është Lëvizja Besa. Edhe atë jo vetëm pse këtë thonë anketa e shumta apo pse ka zë dominant në media, por pse ia doli rreth vetes të grumbullojë të rinj te suksesshëm të profesioneve të ndryshme, si dhe kanë edhe një vlerë te pakontestueshme – janë të panjollosur politikisht!
Mosbashkimi i forcave të të dy krahëve opozitarë ndonëse u përcoll me tensione të ndryshme në opinion, megjithatë në thelb, do të prodhojë një rrethanë tejet të favorshme për votuesit shqiptarë! Kjo ngaqë asnjëri prej aktorëve politikë, tani për tani, nuk do të ketë mundësinë ta ketë përkrahjen e plotë të pakontestueshme të elektoratit shqiptarë siç e kishte dikur BDI. Përkundrazi, votuesi shqiptar i Maqedonisë do të ketë mundësinë jo vetëm të zgjedh, por edhe të peshojë veprimet politike në të ardhmen të secilit subjekt/aleancë veç e veç. Të gjithë të pakënaqurit dhe të papërcaktuarit janë të vetëdijshëm se suksesi më i madh i BDI – së mund të konsiderohen përmendoret e shumta sllave në sheshin e Shkupit, apo edhe arrestimi i shqiptarëve me procese të montuara gjyqësore. Por, atyre – përtej fjalimeve dhe premtimeve – u duhen edhe vepra konkrete që do t’i bëjnë ose jo partitë e reja shqiptare, që pretendojnë se e meritojnë besimin e votuesit shqiptar. Ato do ta kenë rastin që pas këtyre zgjedhjeve ta dëshmojnë seriozitetin e premtimeve të tyre që tingëllojnë mirë për veshë por që ende nuk janë dëshmuar në praktikë. Do të kenë mundësinë të bashkërendojnë veprimet e tyre për të kundërshtuar secilin projekt antishqiptar në Maqedoni. Dhe gjatë kësaj periudhe, sigurisht se votuesit shqiptarë do të kenë mundësi të vlerësojnë se cila nga këto forca politike e kishte me gjithë mend mbrojtjen e interesit shqiptar apo edhe mos rastësisht ndonjëra do të dorëzohet në rrugën e opozitarizmit e do ta parapëlqeje rehatinë e pushtetit.
Pra, për herë të parë të gjithë votuesit shqiptarë kanë mundësi të jenë pronarë të votës së tyre, fillimisht duke e ndëshkuar BDI – në me votë dhe së dyti duke mos ua dhënë besimin e plotë partive opozitare siç ia dhanë dikur “çlirimtarëve” pa i pasur paraprakisht dëshmitë se me të vërtetë do të angazhohen në mbrojtjen e interesave të etnisë pa të cilën nuk mund të ekzistojë as shteti i Maqedonisë.