Para se të niste lufta në Prekaz, forcat serbe kishin kryer rrethimin
Vendosën një unazë të hekurt përreth qytetit të Skenderajt për ta penguar ndihmën që mund t’i vinte Komandantit Legjendar dhe Familjes Jashari nga shokët e tij jashtë Prekazit. Rreziku i parë, forcave serbe do t’u vinte nga Llausha, fshat ky që në atë kohë numëronte shumë pjesëtarë të UÇK-së.
Askush nuk e dinte planin serb për sulmin mbi Jasharët. Ushtarët e UÇK-së nga Llausha po kryenin patrullat e përditshme përreth fshatit. Njëri prej atyre që më 5 mars kishte detyrën të kujdestaronte, ishte Miftar Rreci.
Ai bashkë me disa pjesëtarë të UÇK-së, po kryenin një kontroll në malin që ndan Llaushën dhe Skenderajn, kur u ndeshën me forcat serbe. Policia dhe ushtria serbe ishin ngritur shumë herët dhe kishin zënë pozicionet që deri më 5 mars i kontrollonte UÇK-ja.
Në atë rast pati një shkëmbim të shtënash ku edhe u plagos Miftar Rreci, i cili nga plagët dhe pamundësia e shërimit të tyre ndërroi jetë një ditë më pas, shkruan Magazina.al. Rënia e dëshmorit Miftar Rreci, e ndodhur në një ditë me Jasharët, nuk shënohet me ndonjë aktivitet megjithatë familja e tij dhe bashkëluftëtarët e kujtojnë atë çdo 5 mars.