Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekretuar Helidon Bendon në krye të SHISH-it. Emri i tij ishte propozim i kryeministrit Edi Rama, në fund të tetorit të vitit 2017 dhe që prej asaj kohe ka qenë i komanduar në atë post.
Ndërkohe që presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka vendosur firmën për dekretimin e tij vetëm ditën e sotme.
“Zoti Helidon Bendo, emërohet në detyrën e drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”, citojnë mediat e Tiranës dekretin e presidentit Meta.
Në fund të tetorit të vitit 2017 kryeministri Rama në një takim 30 minutash me presidentin e Republikës, paraqiti propozimin për lirim të drejtorit të Shërbimit Informativ, Visho Ajazi, dhe emërimin në këtë detyrë të zv.drejtorit të Shërbimit Informativ, Helidon Bendo.
Propozimi i kryeministrit për lirim dhe emërim në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror erdhi pas dorëheqjes nga detyra të drejtorit të këtij shërbimi, të cilën kryetari i qeverisë e mirëpriti duke e falënderuar zotin Visho Ajazi për kontributin e tij.
Helidon Bendo prej 18 muajsh mbante postin e zv.drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, deri ditën që emri i tij u zgjodh për kreun e SHISH.
Por kush është Helidon Bendo
Helidon Bendo përpara kësaj detyre, prej 7 vitesh ka ushtruar detyrën e drejtorit të Drejtorisë në Aparatin Qendror (AQ) të SHISH-it.
Z.Bendo ka eksperiencë 21-vjeçare në SHISH ku ka mbajtur detyra të ndryshme si: inspektor terreni, kryetar dege, drejtor drejtorie në disa qarqe të vendit dhe drejtor drejtorie në AQ.
Z.Bendo ka lindur më datën 12 maj 1971 në qytetin e Korçës. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.
Ai është diplomuar në vitin 1993 për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ka një master në studime për sigurinë, si edhe një trajnim tre-mujor në fushën e sigurisë pranë Universitet George Town në SHBA.
Gjithashtu, z.Bendo ka kryer edhe një sërë trajnimesh mbi çështje të sigurisë brenda e jashtë vendit.
Ai flet gjuhët anglisht e greqisht.