Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është aprovuar edhe Strategjia e Energjisë në Republikën e Kosovës 2017-2026. Kjo strategji përcakton objektivat themelore të Qeverisë për zhvillimin e sektorit të energjisë duke marrë për bazë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ruajtjen e mjedisit, furnizimin e sigurt dhe cilësorë të konsumatorëve dhe shfrytëzimin efiçient të energjisë.
Në strategji janë evidentuar edhe objektivat për zhvillimin e kapaciteteve të reja gjeneruese konvencionale dhe të ripërtëritshme, krijimin e tregut konkurrues, zhvillimin e sistemit të gazit natyror dhe krijimin e vendeve të reja të punës që ndërlidhen me sektorin e energjisë.
Strategjia vazhdon mbështetjen për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike me termocentralin “Kosova e Re” si dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë së ripërtëritshme.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për aprovim të kërkesës së Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për konfirmimin e interesit të përgjithshëm për shfrytëzimin e thëngjillit nga Korporata Energjetike e Kosovës Sh.A (KEK).
Konfirmimi i interesit të përgjithshëm bëhet me qëllim të krijimit të bazës juridike për lëshimin e licencës nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, konform Ligjit për Minierat dhe Mineralet, Korporatës Energjetike të Kosovës për ushtrimin e aktiviteteve përkatëse të saj në interes të përgjithshëm publik.