Një prej shumë zëvendësministrave në Qeverinë Haradinaj aktualisht nuk ka telefon. Telefoni që kishte deri tani i është prishur, ndërsa për punën që bën komunikon me telefonin e bashkëshortes së tij.
Zëvendësministri në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Hamza Bale ani pse ka një pagë mujore në vlerë prej më shumë se 1 mijë euro, duket se nuk po i mjafton që të blejë një telefon për vete.
Bale këtë telefon po e kërkon nga Minstria ku ai punon.
Këtë e ka konfirmuar për Infokusin vet ai. Balje ka thënë se aktualisht nuk ka asnjë lloj telefoni. Ndërsa kur është pyetur se çfarë lloj telefoni ka kërkuar ai ka thënë një të thjeshtë.
“Jo, nuk kam telefon. Po e kam kërku një të thjeshtë, po ende nuk e kam marr. Ju njoftojmë sapo ta marr”, ka thënë Bale për Infokusin.
E ndërkohë telefoni i “thjeshtë” që ka kërkuar Balje kap një shifër prej hiq më pak se 680 euro.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në krye me Valdrin Llukën ka shpallur tender në vlerë prej 680 eurove, për furnizim me telefon për Nazmi Balen, shkruan Infokusi.com.
Kështu thuhet në njoftimin për nënshkrim të kontratës që ka publikuar vet MZHE-ja në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Në njoftimin e publikuar në KRPP, thuhet se për këtë tender kanë ofertuar tri kompani. Ndërsa fituese është shpallur kompania “N.SH KONTO T”.
Kontrata është nënshkruar më 24 prill 2018.