Koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re, Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, ende nuk ka vendosur nëse do të votonte Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit.
I kontaktuar nga KosovaPress, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se nuk mund të flasë për çështje të tilla. Ai ka thënë se “i mbetet Kryesisë së partisë të marrë qëndrim rreth kësaj çështje”.
As nënkryetari i AKR-së, Korab Sejdiu ka thënë se nuk kanë një qëndrim të prerë nëse do ta votojnë Veselin për kryeparlamentar apo jo. Sejdiu thotë se po presin kandidaturën zyrtare dhe pastaj të vendosin për këtë.
“Nuk mund të flas në emër të koalicionit tonë, për arsye se do të ishte e padrejtë, sepse ende nuk kemi një informatë zyrtare se kush është kandidati zyrtar nga ana e koalicionit fitues për kryetar të Kuvendit. Natyrisht edhe mendimi im personal edhe mendimi i koalicionit varet nga ajo se kush propozohet dhe a është i pranueshëm për të qenë kryetar personi, i cili është i kandiduar”, ka thënë Sejdiu për Ksp, teksa nuk ka pranuar të flasë për emra të përveçëm derisa ata nuk janë kandidatë zyrtar.
“Në momentin që shpallet një kandidaturë zyrtare ne do ta bëjmë analizën e personit në fjalë qoftë në historinë profesionale, politike e kështu me radhë, për ta vlerësuar se a i përmbush kriteret që ne mendojmë që janë të nevojshme dhe me pas përvojën për të qenë krye parlamentar”, tha Sejdiu.
Koalicioni PAN është subjekti më i votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit. Në bazë të Kushtetutës asaj i takon posti i kryetarit të Kuvendit. Sipas të gjitha gjasave, PAN-i do ta kandidojë kreun e PDK-së, Kadri Veseli, për të rimarrë postin e institucionit më të lartë, ligjvënës, në vend. Koalicioni PAN, bashkë me minoritetet i bën 59 vota, ndërsa i duhen edhe dy për të zgjedhur kreun e Kuvendit.
PAN-i po thotë se i ka votat dhe se po pret seancën e 3 gushtit – e caktuar sot nga kryetari Hashim Thaçi – për të zgjedhur kreun e Kuvendit dhe kryeministrin. Por LAA dhe VV që bashkë kanë 61 deputetë janë barrikaduar kundër PAN-it. Në rast se dështon për dy herë radhazi zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
© KOHA